92-vjet nga vdekja e “Heroit të popullit”, Bajram Curri

Sot mbushen 92- vjet nga  vdekja e heroit të popullit, Bajram Curri, i cili ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.Bajram Curri lindi në Krushë të Madhe, një fshat ndërmjet Gjakovës dhe Prizrenit.

Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900. Ndihmoi në themelimin e klubeve patriotike dhe shkollave shqipe në Kosovë, si dhe mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të Kongresit të Manastirit. Në vitin 1908 ai u zgjodh nënkryetar i Klubit Patriotik “Bashkimi” të Shkupit.

Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e Kuvendit të Junikut. Mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të Armatosur të vitit 1912, ku u shqua si një nga komandantët më të zotë në betejën me ushtritë osmane në Qafën e Prushit, si dhe në Fushë Kosovë. Pas vitit 1912 ai punoi për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar, si dhe për çështjen e kosovës. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913, që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare. Ai luftoi për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Në shtator të vitit 1913 ai ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbo-malazeze.

Në vitin 1918 u zgjodh një nga drejtuesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në emër të këtij Komiteti, Bajram Curri, së bashku me patriotë të tjerë shqiptarë të Kosovës, i dërguan një protestë Konferencës së Paqes në Paris, në vitin 1919, në të cilën kërkonin që të njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe popullsisë shqiptare në Kosovë dhe asaj t’i njihej e drejta të shprehte lirisht aspiratat e veta kombëtare.

Në Kongresin e Lushnjës, të vitit 1920, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar. Ky këshill e ngarkoi me detyrën e ministrit pa portofol, si dhe komandant të përgjithshëm të forcave të armatosura. Ai u shqua në jetën politiko-shoqërore shqiptare, veçanërisht gjatë viteve 1920-1924, ku krahas luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar spikati edhe përpjekja për konsolidimin dhe demokratizimin e shtetit shqiptar. Më 29 mars 1925 Bajram Curri u vra në Dragobi./ATA

Pin It