1 Qershor/ Nga çerdhet dhe kopshtet, te plazhet dhe kufijtë tokësorë, aktivitetet që hapen pa kufizime

Në të gjithë territorin e vendit, duke nisur që nga dita e sotme nuk do të ketë më zona të kuqe apo të gjelbra duke shënuar një tjetër fazë të lehtësimit të masave që u morën në përballje me COVID-19.

Sipas edhe rekomandimeve nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, që prej ditës së sotme, 1 Qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin pa kufizim, hapen një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim.

Gjithashtu sot hapen çerdhet e kopshtet sipas protokollit të sigurisë. Po nën masa të sigurisë dhe në zbatim të protokollit të miratuar, nga sot happen edhe plazhet sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt.

Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një autoritet i përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe që do të administrojë lejet për çdo stacion plazhi nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjieno-sanitare në plazhe.

Po nga dita e sotme do lejohen kampionatet sportive, pa praninë e publikut, hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë.

Mbeten ende të mbyllura transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë me Ministrinë e Transporteve, ndërsa deri më datë 23 Qershor do të mbeten të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferencat dhe dëgjesat publike.

 

ATA

Pin It