Nikolla: Të dhënat e akreditimit publikohen në tetor, UT jashtë listës së vlerësimit primar

nikolla

Kanë kaluar më shumë se 2 vjet nga nisja e procesit të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, por në muajin tetor ministria e Arsimit do të publikojë të dhënat për 6 universitetet pjesëmarrëse. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ku tha se në tetor do të publikohen të dhënat e para për Universitetet, kohë që përkon në fakt me çeljen e vitit të ri akademik. “Vijohet me 6 universitetet e para, janë 4 universitete publike dhe 2 private. Raporti i parë dhe pastaj hap pas hapi për të vijuar. Nuk ka asnjë shmangie dhe asnjë vonesë nga gjithë kalendari që Agjencia britanike ka vënë në funksion të këtij procesi”, deklaroi Nikolla. Procesi, sipas Ministres së Arsimit, po ecën me hapa të ngadaltë, por të sigurt.

Nikolla theksoi se “nuk bëhen rrokopujë dhe me atë nxitjen që ka çuar në të shkuarën në akreditime programesh që nuk plotësojnë kushtet ligjore, jo më kushtet cilësore. Në momentin që flasim jemi korrekt me të gjithë kalendarin e publikuar nga Agjencia britanike që ka të bëjë me rishikimin e të gjithë legjislacionit shqiptar, rishikimin e situatave të vlerësimit të brendshëm në institucionet e arsimit të lartë dhe me procesin e trajnimit të ekspertëve”. Universitetet e para që do të kalojnë në sitën e vlerësimit janë: Universiteti Politeknik i Tiranës; Universiteti Bujqësor i Kamzës; Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan; Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër; “Universiteti Europian i Tiranës” dhe “Marin Barleti”, duke përjashtuar në listën e pjësëmarrësve të parë në procesin e akreditimit, universitetin e Tiranës. Në fund të vitit 2014, pasi Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për rinisjen e procesit të akreditimit të universiteteve publike dhe private, duke e konsideruar “nul” atë të realizuar në kohën e qeverisë Berisha, Arbjan Mazniku, në atë kohë zëvendës ministër i Arsimit dhe Sportit tha se procesi i akreditimit tipikisht, në pjesën më të madhe të rasteve zhvillohet i ndarë në tri faza. Sipas tij, në fazën e parë përcaktohen kriteret e akreditimit, siç mund të jenë për shembull: Raporti student-pedagog; Mbajtja e dokumentacionit; Mbajtja e mësimdhënies; S’kualifikimi i stafit; Mbajtja e regjistrave deri tek ato që konsiderohen si më elementaret, si: A ka institucioni arsimor fikse zjarri; A kanë parametra higjienikë tualetet?”, tregon Mazniku. Ai tha se kriteret fillimisht do të vetëvlerësohen nga vetë institucioni i lartë arsimor (vlerësimi i brendshëm), ndërsa pas kësaj do të nisë verifikimi në terren nga ekspertë të agjencisë angleze të akreditimit. “Agjencia i dërgon çdo universiteti, qoftë publik apo privat, një formular vetëvlerësimi, që do të plotësohet sipas të dhënave të një institucioni të caktuar mbi kriteret e sipërpërmendura, brenda një kohe të caktuar, që mund të jetë një, dy javë apo një muaj e gjysmë. Më pas agjencia ngre një grup ekspertësh, ku të paktën një prej anëtarëve do të jetë shqiptar, ndërsa të tjerët anglezë, të punësuar nga vetë kompania, që do të bëjnë verifikimin e të dhënave të paraqitura në formular, për të dalë me një raport përfundimtar vlerësimi (vlerësimi i jashtëm), ndërsa më pas ia referojnë konkluzionet Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (APPAL)”, u shpreh Mazniku, dy vjet më parë. Ish zëvendës ministri i MAS, bëri me dije se ka dy lloj akreditimesh, ku njëri quhet akreditim institucional, ndërsa tjetri, akreditim i programeve të studimit. Zyrtarisht është komunikuar se njëri proces ndryshon nga tjetri në disa aspekte, që nga konceptet te zbatimi i secilit prej tyre. “Procesi i akreditimit institucional ka të bëjë me mënyrën sesi funksionon një institucion i arsimit të lartë, ndërsa akreditimi i programit të studimit ka të bëjë me mënyrën sesi zhvillohet një lëndë x në një degë të caktuar. Hapi i parë është realizimi i akreditimit institucional, ndërsa hapi i dytë, akreditimi i programeve të studimit, që kërkon më shumë kohë, sepse janë me mijëra programe dhe duhen analizuar secili më vete”, theksoi Mazniku, në dhjetor të vitit 2014.

 

Pin It