Neni 4/1 i ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimit e territorit” parashikon detyrimin e Këshillit të Ministrave të përcaktojë, me vendim, rregullat, kushtet dhe procedurat për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirës publike.
Ndër vite, hapësirat publike shpesh herë janë lënë pas dore nga qeverisja vendore dhe qendrore dhe jo rrallë herë janë përdorur për përfitime personale. Ndaj, qëllimi kryesor i rregullimit të hapësirës publike është përcaktimi i kushteve dhe rregullave për mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e hapësirave publike në interes të qytetarëve, në mënyrë të veçantë fëmijëve, të moshuarve që kanë nevojë për hapësira të lira lëvizjeje dhe rekreacioni.
Krahas hapësirave publike ekzistuese, vendimi i autoritetit vendor do të mund të krijojë në vijim hapësira të reja publike përmes instrumenteve të planifikimit dhe në marrëveshje me pronarët përkatës, në kuadrin e planeve të detajuara vendore.