Nis sot funksionimin Sistemi i Informacionit dhe Inteligjencës për Bujqësinë, (AGIS), i cili është një platformë statistikash zyrtare për mbi 75 produkte bujqësore, blegtorale dhe të dhënash nga sektori i agrobiznesit. Ky sistem pritet t’i vijë në ndihmë biznesit rural, për t’u orientuar sipas përparësive në prodhimin bujqësor vendas, kreditimin dhe zhvillimin e integruar të tij.
Sipas Panaritit ky sistem do të jetë një mekanizëm i rëndësishëm për thithjen e investitorëve të huaj dhe një pikë referimi për insittucionet bankare që mbështesin sektorin e bujqësisë.
“Informacionet e statistikave bujqësore, janë një pikënisje për cdo investim në bujqësi”, theksoi Panariti.
Platforma u vlerësua edhe nga ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, i cili e konsideroi AGIS si një burim të besueshëm e gjithëpërfshirës për statistikat dhe të dhënat bujqësore në Shqipëri.
Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të Qeverisë, ambasadës së Zvicrës, USAID, drejtues të bankave dhe të institucioneve financiare, ekspertë dhe sipërmarrës në bujqësi, donatorë dhe investitorë, të cilët ndanë mendimet e tyre mbi vlerat dhe mundësitë që ofron sistemi AGIS.