Kushtetuesja lë në fuqi pezullimin e Vettingut

190669_image-5882411

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të martën kërkesën e Kuvendit për heqjen e pezullimit të ligjit të Vettingut, duke lënë në fuqi vendimin e saj të mëparshëm.

Pasi dëgjoi argumentet “pro” dhe “kundër” të paraqitura nga palët e interesuara, konkretisht Kuvendi i Shqipërisë, Partia Demokratike dhe Unioni i Gjyqtarëve, trupa gjyqësore vendosi të ruajë masën e pezullimit për Vettingun deri në pritje të mendimit të Komisionit të Venecias.

Deputeti socialist Pandeli Majko tha se ende nuk është mësuar arsyeja se përse ligji i Vettingut është pezulluar, prandaj kërkoi heqjen e kësaj mase. Ndërsa Partia Demokratike dhe Unioni i Gjyqtarëve mbështetën lënien në fuqi të pezullimit, pasi sipas tyre ligji shkel Kushtetutën.

Përfaqësuesi i Unionit, Gerd Hoxha tha se heqja e pezullimit rrezikon vendin e punës për shumë gjyqtarë e prokurorë. Në mbështetje të këtij qëndrimi ishte dhe përfaqësuesi i PD, Gazmend Bardhi, që këmbënguli në ruajtjen e masës së pezullimit.

Komisionit i Venecias pritet të japë një opinion nëse ligji është ose jo në përputhje me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të vijuar më tej me reformën në drejtësi.

Në këtë séance gjyqësore ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin. Partia Demokratike përfaqësohej nga Oerd Bylykbashi dhe ekspertët Bardhi dhe Ivi Kaso. PS përfaqësohej nga deputetët Majko, Hysi, Fatmir Xhafaj dhe Ulsi Manjani. Unioni i Gjyqtarëve përfaqësohej nga Gerd Hoxha.

 

 

Pin It