Procesi i Vettingut, hapat dhe kriteret

gjykata

Procesi i rivlerësimit të 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si Vetting-u, do të kryhet bazuar tek tre kritere: vlerësimi i pasurisë, kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale.

Vlerësimi do të bëhet nga Komisioni dhe Kolegji i Apelimit dhe subjektet e para që do të kalojnë këtë process ligjor janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.

Nëse rezultati për një prej kritereve të mësipërm rezulton i pamjaftueshëm, Komisioni ose Kolegji i Apelimit do të kërkojnë që subjekti të ndjekë programin e posaçëm për riaftësim, pranë Shkollës së Magjistraturës, për një vit. Këto organe kanë të drejtë të vendosin edhe për largimin nga detyra të subjekteve të vlerësuar negativisht.

I gjithë procesi i rivlerësimit do të kryhet nën mbikqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili do të ketë akses në dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe do të mbikëqyrë gjithë procesin vendimmarrës. Vëzhguesit e huaj do të asistojnë procesin në të gjitha shkallët dhe nivelet.

Në këtë mënyrë, ky ligj do të kryejë për herë të parë një vlerësim tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptare dhe pritshmëritë janë rritja e përgjegjshmërisë profesionale dhe etike e të gjitha subjekteve që do të rivlerësohen e për rrjedhojë përmirësimi i cilësisë së gjithë sistemit të drejtësisë.

Anëtarët e Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit dhe familjarët e tyre do të kenë mbrojtje e posaçme nga shteti, me qëllim garantimin e procesit.

Neni 31 i ligjit parashikon fillimin e procedurës së vlerësimit të pasurisë, ku subjekti plotëson deklaratën e pasurisë, sipas shtojcës 2 bashkëlidhur këtij ligji dhe brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi e dërgon atë pranë ILDKPKI-së.

 

Pin It