Agron Tufa, fitues i çmimit “Pena e Flakës 2017” për poezinë më të mirë

poezi-1-850x576-295x200

Poeti Agron Tufa u shpall fituesi i çmimit për poezinë më të mirë në konkursin letrar “Pena e Flakës 2017”, të zhvilluar në Gjilan.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të zhvilluar në sallën e Kuvendit komunal të Gjilanit ishin të pranishëm poetë nga të gjitha trevat shqiptare. Çmimi iu dorëzua poetit Tufa nga shkrimtari kosovar Ibrahim Kadriu.

Konkursi letrar “Pena e flakës”, i kthyer tashmë në traditë , këtë vit iu dedikua  Idriz Seferit,në jubileun e 70-të të të cilit është duke u mbajtur manifestimi “Flaka e Janarit 2017”, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.

Poeti Agron Tufa, pas marrjes së çmimit prezantoi para auditorit të pranishëm vargje nga krijimtaria e tij.

Sabit Rrustemi një nga promotorët e manifestimit “Pena e Flakës 2017”, u shpreh i kënaqur me krijimet letrare e poetike të prezantuara.
“Këtë vit morën pjesë një numër i madh krijuesish, mbi njëqind të tillë, në konkursin letrar, mes tyre  44 tregimtarë dhe 25 poetë të tjerë nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo dëshmon për vlerat dhe prurjet e mirëfillta në këtë edicion të shtyllës “Pena e Flakës”, tha Rrustemi.
Të gjitha punimet e shpërblyera sikurse edhe punimet e përzgjedhura nga juria është bërë e ditur se do të botohen në numrin e 20-të, të revistës letrare “Agmia”.
Agron Tufa Lindi në Dibër në vitin 1967. Ndoqi studimet për letërsi në Universitetin e Tiranës. Më vonë vazhdoi studimet në Moskë, ku u diplomua në Filozofi Arti, e më pas përfundoi ciklin e tretë të studimeve në Teori Përkthimi, me përqendrim të veçantë në krijimtarinë e poetit Joseph Brodsky.

Agron Tufa aktualisht jep mësim në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në Tiranë, në lëndët Letërsi e huaj e shekullit të XX, Teori Përkthimi e Letërsi Ruse.Ai ka kontribuar në një masë të konsiderueshme edhe në publicistikën shqiptare, si dhe ka përkthyer disa autorë rusë, mes të cilëve Joseph Brodsky, Anna Akhmatova, Osip Mandelshtam, Boris Pasternak, Andrei Platonov, Mikhail Bulgakov, Vladimir Nabokov, dhe Vladimir Sorokin. Disa nga veprat e tij janë “Aty te portat Skee”, “Rrethinat e Atlantidës”, “Dueli”, “Fabula Rasa” etj

Pin It