Amnisti për bizneset- Zbulohet drafti për faljen e 30 mijë gjobave, kush përfiton

1196-905x395

30 mijë biznese që kanë marrë gjoba deri në 10 mijë lekë për mosdeklarim të administratorit do të përfitojnë falje të këtij detyrimi. Burime nga Drejtoria e Tatimeve bëjnë të ditur se Ministria e Financave po harton një draft për faljen e gjobave që u janë vënë bizneseve në qershor të këtij viti.

“Ministria e Financave është duke punuar për draftimin e një projektligji për fshirjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura. Në këtë kuadër, parashikohet që të bëhet edhe fshirja e gjobave për personat e vetëpunësuar, të cilët nuk kanë bërë në afatin e caktuar deklaratën e tyre”, bëjnë të ditur burimet nga Tatimet.

Gjobat 

Një pjesë e madhe e bizneseve, kryesisht të reja, u gjobitën masivisht më 22 qershor me 10 mijë lekë për vonesa në deklarimin e administratorit, pas përditësimit të sistemit të “e-tax”. Burime nga Tatimet bëjnë të ditur se janë rreth 30 mijë biznese që kanë paraqitur ankesa për gjoba të padrejta. Bëhet fjalë për mikrondërmarrjet, me një të punësuar, të cilët janë kryesisht tregtarët ambulantë apo biznese të tjera mbijetese me xhiro minimale nën 2 milionë lekë në vit. Sipas Tatimeve, edhe pse janë të regjistruar në QKR, këto biznese duhej të dorëzonin edhe formularin e deklarimit të punonjësit në zyrat e taksave, pra administratorin.

Ndaj, me këtë motivacion, nga data 22 qershor këto biznese janë gjobitur masivisht me 10 mijë lekë të reja gjobë, sipas nenit 113 të Procedurave. Tatimet bëjnë të ditur se penalizimi është ligjor dhe janë bizneset ato që nuk kanë respektuar afatin kohor të deklarimit të punonjësve brenda 48 orëve të parashikuara në ligj. Gjoba është vënë sipas ndryshimit ligjor, që ka hyrë në fuqi në dhjetor 2014 nëpërmjet udhëzimit nr. 23, i cili ka të bëjë me kontributet e sigurimeve shoqërore, kryesisht me momentin e deklarimit të bizneseve të reja apo marrjes në punë të punonjësve ose largimit të tij.

Sipas ligjit, deklarata “esig027” është një deklaratë e detyrueshme për të gjitha bizneset, qofshin këto të reja apo biznese që ushtrojnë aktivitete në mënyrë normale. Deklarata “esig027” është një deklaratë që nuk dorëzohet 24 orë kur fillon punonjësi punën, por 48 orë mbas aktivizimit apo marrjes së NIPT-it nga biznesi në QKR.

Bizneset janë të instruktuara, qoftë në momentin e regjistrimit kur pajisen me NIPT apo pranë DPT-së, që të logohen në sistemin elektronik të Tatimeve dhe brenda 48 orësh të bëjnë vetëdeklarimin e administratorit apo të vetëpunësuarit. Pasuordi është universal dhe është publikuar në uebsaitin e DPT-së dhe në udhëzimet e publikuara, shoqëruar edhe me video ilustruese. Në procedurat elektronike të regjistrimit vihet re se njoftimi mbi gjobat i bizneseve del në mënyrë automatike, që do të thotë se tatimpaguesi është në dijeni.

Premtimi

Në korrik, ministri Ahmetaj tha se qeveria do t’i propozojë parlamentit faljen e gjobave masive që sistemi elektronik i Tatimeve ka vendosur ditët e fundit mbi bizneset e vogla për mosdeklarimin e punonjësit të vetëm. Lajmi për fshirjen e rreth 30 mijë gjobave është bërë i ditur nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, por duket se në atë kohë nuk u gjet dakordësia me Fondin Monetar Ndërkombëtar, pasi në këtë pikë ishte edhe falja e një sërë detyrimesh të tjera të prapambetura për bizneset.

“Qeveria e ka parë me vëmendje, kryeministri po ashtu, dhe meqë ka qenë hera e parë dhe tatimpaguesit të painformuar, ne do t’i propozojmë parlamentit që këto gjoba të falen dhe të fshihen nga sistemi”, – ka deklaruar ministri i Financave, Arben Ahmetaj në korrik të këtij viti.

 

Pin It