Ari i lëngshëm(vaji i ullirit) dhe ulliri në Islam

Ulliri dhe vaji i tij, janë nga produktet e pandashëm në kuzhinat tona, kjo për shkak të vlerave ushqimore të jashtëzakonshme që përmbajnë. Vaji i ullirit është një ndër përbërësit kryesorë në dietën mesdhetare. Që në lashtësi ulliri dhe degët e tij përdoreshin si kurora për perandorët, madje kanë qënë përdorur edhe si kurora që u vendoseshin në kokë fituesve të lojrave olimpike. Vaji i ullirit është cilësuar si “ar i lëngshëm” prej Homerit dhe është rekomanduar si ilaç për mbi 60 sëmundje prej Hipokratit.

Ulliri si bimë, është përmendur në disa ajete në Kur’anin Famëlartë e gjithashtu në disa prej haditheve të Profetit Muhamed (s.a.s), si bimë e bekuar. Ulliri përmendet në këto ajete në Kur’an:

-“Ai është që lëshoi nga lartë shiun e me të nxori bimën e çdo sendi dhe prej bimës gjelbërim dhe prej tij (prej gjelbërimit) kokrra të dendura në kallinj. E nga hurmet, nga sythat e tyre kalaveshë të afërt (për t’i vjelë). Edhe kopshtie me hardhi, ullinj e shegë të ngjashme (në dukje) e të llojllojshme (në shije). Shikoni pra frutat e tyre kur i formojnë dhe kur piqen (të gjitha këto nga shiu). Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë.”

[Surja En’am, 99]

-“Me atë (shiun) mbijnë, për të mirën tuaj, të lashtat, ullinjtë, hurmat, rrushnajat dhe nga të gjitha frutat (e pemëve). Në këto (të mira) ka argumente për një popull që vështron.”

[Surja Nahl, 11]

-“All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i gjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërus e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë…” [Surja Nur, ç5]

-“Dhe (krijuam) trupa drunjsh që mbijnë në kodrën Sina e që japin vajëra dhe mëlmesa për ngrënësit. [Surja Mu’minun, 20]

-“Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës, dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra edhe rrush e perime, edhe ullinj e hurma, edhe kopshte të dendura, dhe pemë e kullosa. Si mjete gjallërimi për ju dhe për bagëtinë tuaj.” [Surja Abese, 26-ç2]

“Pasha fikun dhe ullirin! Dhe (kodrën) Turi Sina-en!” [Surja Tin, 1-2]

Në hadithet Profetike, ulliri dhe vaji i tij kanë qenë të rekomanduara të përdoreshin për të ngrënë dhe për shërim. Në një hadith të transmetuar prej Said el- Ensari (r.a), Profeti (s.a.s) ka thënë: “Hani vaj ulliri dhe përdoreni për të lyer trupin, sepse është prej një peme të bekuar. [Tirmidhi; Ibn Maxhe]

Në një hadith tjetër Profeti ynë (s.a.s) thotë: “Hani vaj ulliri dhe përdoreni për të shëruar veten me të, sepse vjen prej një peme të bekuar.” [Tirmidhi; Ibn Maxhe]

Profeti ynë i nderuar e ka cilësuar si pemë të bekuar dhe e ka rekomanduar ullirin dhe vajin e tij, sepse është një bimë me vlera të paçmuara. Po cilat janë dobitë e kësaj bime dhe vajit të saj për shëndetin tonë? Në studimet e bëra prej studiuesve të mjekësisë, vlerat ushqyese dhe dobitë e kësaj bime dhe vajit të saj për shëndetin janë:

-Redukton rrezikun e sëmundjeve të zemrës,

-Ka efekt mbrojtës kundër depresionit,

-Redukton rrezikun e prekjes prej kancerit,

-Ndihmon në balancimin e nivelit të kolesterolit,

-Vaji i pastër i ullirit, mbron prej sëmundjeve të pankreasit,

-Vaji i tij i pastër, mbron mëlçinë prej stresit oksidativ,

-Forcon sistemin imunitar,

-Ngadalëson mplakjen,

-Kurë shumë e mirë për tuberkulozin,

-Ndihmon në kurimin e ekzemave,

-Ndihmon në dhimbjet e veshkave dhe stomakut,

-Lehtëson sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes,

-Përdoret në kozmetikë, për lëkurën dhe flokët, etj.

 

 

Pin It