Balerini i famshëm Eno Peçi merr Çelësin e Tiranës

Artisti i njohur Eno Peçi është nderuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me “Çelësin e Tiranës”. “Shumë mirënjohës”, shkruan balerini në foton me çmimin në duar në faqen e tij në Facebook.

Eno Peçi është një ndër balerinët më të suksesshëm në nivel ndërkombëtar i njohur dhe për performancat e tij në Koncertin e madh të Vitit të Ri, që mbahet për çdo vit në Vjenë.

Eno ishte vetëm 16 vjeç kur iku përmes Italisë drejt Vjenës, pa e ditur se ky udhëtim disi i vështirë do të ndryshonte përgjithmonë jetën e tij. Ishte nisur nga Tirana për një turne me një grup balerinësh, i cili drejtohej nga ish-drejtori i Shkollës së Baletit, Ramazan Këllezi, për të kaluar në një tjetër hapësirë. Vjena do të joshte vështrimin e djaloshit të ri me morinë e artit që mbartte në çdo rrugë.

Më pas, ngjitja e shkallëve të Shkollës së Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës “Wiener Staatsoper”, do ta afronte më pranë me ëndrrën. Talenti i tij do të spikaste menjëherë mes dhjetëra balerinësh.

Në vitin 2000, Eno Peçi bëhet pjesë e trupës së Baletit të Teatrit Shtetëror të Operës së Vjenës, dhe në vitin 2003 bëhet solist kryesor i këtij teatri. Eno e ka më lehtë ta tregojë përmes gjuhës së trupit sesa me fjalë gjithë rrugëtimin e tij drejt artit. Për të disatin vit me radhë, edhe këtë vit ai ishte pjesë e trupës shtetërore të Baletit të Operës së Vjenës, që performuan natën e fundvitit në ngjarjen më të rëndësishme të vitit, siç është Koncerti i Vjenës, që ndiqet në të gjithë botën.

Ndër pjesët e tij më të rëndësishme numërohen “Spartaku” i Renato Zanelas dhe “Impresionet e Çajkovskit” të Ivan Kavalaris, “Mjekërkuqi”, “Liqeni i mjellmave” të Rudolf Nurejevit, “Maçoku me çizme” dhe “Pas de quatre” te “Bukuroshja e fjetur” e Peter Wright, “Kopelia”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Onjegini”, “Ashtu siç ju pëlqen”, “Borëbardha”, “Arrëthyesi”, “Trimajëshi” i Leonide Massine, “Ballo e kadetëve” të Zanelas, “Slingerland pas de deux” të Uilliam Forsajt, “Vend i boshatisur”, “Duo koncertante”, “Voyage”, “Sacre” dhe “Bolero” Petrushka” etj. /ATA/

Pin It