Legjendarët e muzikës, grupi “The Doors” mbush 50 vite nga nisja e karrierës

Në fillim të 1967 grupi muzikor “The Doors”i Jim Morrison publikoi albumin e parë që përmbante këngë legjendare si ‘Light my fire’, ‘Break on Through (To the Other Side)’, ‘Soul Kitchen’ dhe ‘The End’.

Jim Morrison dhe piansiti Ray Manzarek u njohën në shkollë në Los Angeles. Morrison ishte më i interesuar për poezinë dhe teatrin sesa për muzikën: ishte Manzarek që e bindi të formonte një grup. Të dyve iu bashkua edhe kitaristi Robbie Krieger dhe bateristi John Densore. Për emrin e bandës Jim Morrison mori shtysë nga një poezi e William Blake që thoshte “”Nëse dyert e perceptimit do të ishin të mbyllura , njeriut do t’i dukej gjithçka si vërtet e përfunduar”.

Ai u ndikua edhe nga një libër i Aldous Huxley mbi eksperiencat me drogën e quajtur pikërisht ‘The Doors of Perception’ (‘Dyert e perceptimit).

Duke përdorur teknologjinë e fundit  të viteve ’60, The Doors prodhuan një tingull të veçantë dhe emocionues. Kjo i kushtohej në një pjesë jo të vogël teksteve të Morrison, kryesisht të nxjerra nga shkrimet dhe poezitë e tij. Në shkrimin e teksteve gjithashtu kontribuoi edhe kitaristi Robb Krieger, i cili shkroi ose bashkëshkroi disa nga pjesët më të dëgjuara dhe të famshme të Doors, si “Touch me”, “Love me two times”, dhe më e rëndësishmja “Light my fire”.

The Doors firmosën një kontratë me shtëpinë diskografike ELektra në fillim të 1967, nxorën në treg albumin e tyre të parë The Doors dhe filluan të kishin shumë sukses menjëherë pas kësaj. Kënga e parë që nxorrën në treg ishte “Break on through”, por ishte me “Light My Fire” që ata kapën majat e klasifikimeve në qershor 1967 dhe vendosën emrin e tyre në listat e më të preferuarve të kohës.

Në kohën kur nxorrën albumin e tyre të dytë, Strange Days, Doors ishin kthyer në fenomen kombëtar të muzikës, si dhe një nga bandat e rock-ut më popullore të të gjithë botës. Përzierja e stileve nga blues-i dhe rock-u me psikedelikë-n, i bëri ata të parezistueshëm për të rinjtë adhurues të rock-ut. Zgjedhja e teksteve të tyre ishte aq e tejskajshme sa edhe shijet letrare të Morrison dhe përfshinte “Alabama Song” nga opereta e Brecht dhe Weill, “Rise and Fall of The City of Mahogonny” e cila ishte shkruar dhe luajtur për herë të parë në 1930. Grupi gjithashtu krijoi edhe një zhanër të ri këngësh duke prodhuar pjesë me koncepte të zgjeruara, si këngët e famshme epike “The End”, “When the Music`s Over” dhe pjesa e tyre e famshme në koncerte, “Celebration of the Lizard”.

Albumi i katërt i Doors quhej The Soft Parade dhe përmbante një tingull mjaft më të orkestruar, të drejtuar më shumë drejt pop-it sesa në disqet e tjera. Ndryshimi në stilin muzikor nuk u prit mirë dhe ky album u godit gjerësisht si nga kritika ashtu dhe nga publiku. Më pas regjistruan albumin Morrison Hotel dhe Absolutely live. Pas një pushimi të gjatë nga regjistrimet, grupi u mblodh përsëri bashkë në 1970 për të regjistruar atë që do të ishte edhe albumi i fundit i The Doors me Jim Morrison, L. A. Woman.

Ashtu si edhe albumi i tyre i katërt, edhe ky album kishte një tingull mjaft komercial dhe të përpunuar, me një instrumentim të imët, si për “Mr. Mojo Risin” dhe “Been Down so Long”, por albumi u shpëtua nga futja në të e këngës “Riders on the Storm”. Megjithë suksesin e albumit, producenti i tij Paul A. Rothschild, që kishte qenë me grupin që në albumet e parë, u largua duke thënë se muzika e tyre ishte kthyer në “muzikë baresh”. Albumi niste me një shpërthim të tingujve të vjetër, lirika personale dhe poetike, dhe më pas vazhdonte me muzikë të përpunuar, si shumë grupe rock-u të kohës.

 

Pin It