Banorët e luginës!

REPORTAZH

nga ditari i një gazetari
E diel, 6 dhjetor 2015
Ferit Lika
Rruga qe e vështirë, ndoshta është pak të thuash “vështirë”, në kufijtë e së pamundurës. Pas një orë e një çerek nga nisja në Mirakë, mbërritëm në Polis, ashtu të shkundur nga kërcimet e furgonit, të cilit Serveti (shoferi) i kish hequr targën dhe parakolpin, për të mos e dëmtuar nga rruga e cila ishte me tepër se e shkatërruar.
Dikush rrugës, teksa kaluam pranë lapidarit në përkujtim formimit të batalionit partizan të Polisit, me shaka tha se, vështirë të ketë ardhur gjermani deri këtu. Komediciteti e lapidarit u shtua edhe më, kur mësuam se gjithë fshati kish qenë i persekutuar për shkak se ishin ballistë, mes tyre kishte vuajtur edhe ndonjë komunist, që s’e kish besuar njeri.
Polis Vila ishte një fshat i vogël me pak shtëpi, akoma edhe më pak njerëz, pasi të shumtët e kishin braktisur. Shtrihej në një luginë, ku po të kishim shkuar në Behar, siç na thanë, do të ishim mahnitur, por edhe dimri ka ngjyrat dhe kontrastet e veta jo më pak të bukura, kështu që nuk kishim pse “ankoheshim”, sidomos për një shokun tonë artist, i apasionuar pas formave dhe ngjyrave të gurëve, ku me thënë të drejtën kishte me bollëk, mjaftueshëm për ta frymëzuar për ndonjë kompozim në pikturë a skulpturë.
Pamja që të ofronte maja e Polisit ishte piktorekse. Kurora kodrash, malesh e vargmalesh, lugina, rrëpira e livadhe, fusha të mëdha në majë të malit, një mori kontrastesh. Kishim shkuar në vendin ku “ngjallen të vdekurit”, këtë e mësuam më vonë pasi ndaluam në shtëpinë e Muzhaqve.
Mikpritja ishte përtej atyre çka shkruan Edit Durham, ishte mikpritje shqiptare. Duhej të shkonim në këtë fshat apo edhe të tjerë si ky, për ta kuptuar apo rikujtuar se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, në qendrat urbane nuk mund ta gjesh dot këtë tipar. Pritja ishte sikur të njiheshim prej vitesh, por për arsye të ndryshme kishim kohë pa u parë, pra si miq të vjetër, me një ndjenjë malli e gëzimi edhe pse në të vërtetë takoheshim për herë të parë. Nënë Aishja u gëzua aq shumë sikur t’i kishin ardhur nipërit. Në fakt ajo ashtu na konsideronte dhe ashtu na thërriste. Aty mësuam histori të ndryshme, që nga mbyllja e dritareve me batanije në komunizëm kur u duhej të agjëronin fshehurazi e deri te bisedat e pleqve që nisnin në mbrëmje e përfundonin në të gdhirë, teksa tregonin udhëtimet e tyre në Stamboll, Strugë, etj. Histori që duan një natë dimri për t’u treguar. Oxhaku i vjetër me zjarrin bubulak, qilimat ngjyra-ngjyra të thurur në tezgjah, ishin pjesë e dekorit tradicional të shtëpisë dykatëshe në luginë, të ruajtura me fanatizëm, ashtu të paprekura ndër vite. Ato ishin një pjesë e vogël e asaj tradite të madhe që ka vendi ynë, por që fatkeqësisht, si çdo gjë tjetër po shkon drejt zhdukjes.
Ato pak banorë të luginës, kërkonin shumë pak, një rrugë për të kaluar dhe një antenë që të çonte valët e celularit në ato anë, që të mos shkëputeshin nga miqtë dhe të afërmit që i kishin diku gjetkë. Kaq kërkonin. Të tjerat i kishin, sepse mbi të gjitha ato kishin atë çka është me e rëndësishme bollëkun shpirtëror.
Shënim: Vendi që “ngjallen të vdekurit” ishte maja më e lartë e malit të Polisit, atje ku kishte, livadhe pafund, që në behar krijonin një pamje marramendëse me lule nga të gjitha llojet, të gjitha ngjyrat dhe të gjitha aromat. Atje ishin edhe stanet e bagëtive, djathi, kosi bio, mishi i qengjit në hell dhe uji, uji i ftohtë, mjaftueshëm për një “ringjallje”.
12356816_903825089686465_2588848712289797694_o
12307554_903824783019829_7337128808436652839_o 12314678_903824559686518_1071182749081388063_o 12339314_903824513019856_3255683068820399017_o

 

Pin It