Baristi korean që bën art në filxhanin e kafesë

Baristi korean, Lee Kang-bin po e çon artin e pikturave në kafe në një tjetër nivel.

Me penelë të vegjël dhe lugë, 26-vjeçari Lee ka rikrijuar kryevepra si “Nata me yje” e Vincent van Gogh, apo “Ulërima” e Edvard Munch, në kafenenë e tij në qendër të Seulit.

Rezultati i procesit që zgjat rreth 15 minuta është një filxhan kafeje me pamje unike, që kushton thuasje 8 dollarë, por që i ka sjellë Lee mijëra klientë dhe shumë fansa në internet.

“Një mbrëmje pikturova ‘Natën me yje’ dhe piktura e famshme dukej shumë bukur mbi kafè. Më pas, shumë njerëz nisën ta porosisnin ashtu kafenë. Klientët zakonisht më kërkojnë të pikturoj veprat e artit që ata pëlqejnë”, tha Lee Kang-bin.

Lee nuk ka bërë kurrë shkollë pikture, por zotësia e tij në artin e kremit është mjaft e qartë. Klientët në kafenenë e tij e pëlqejnë shumë artin dhe mjaft prej tyre thonë se nuk mund ta kalojnë ditën pa një pikturë të vogël në filxhanin e kafesë.

Pin It