Si i përjeton fëmija të bërtiturat e prindërve në publik

Shohim pothuajse përditë nëna dhe baballarë që ju bërtasin fëmijëve në rrugë. Duket që prindërve nuk ju shkon në mendje që janë në publik dhe që fëmijët e tyre mund të ndihen të fyer. Të paktën fëmijët kështu e përjetojnë.

I bërtasin, i godasin, deri i shkulin edhe veshin, pa e ditur dhe pa u menduar se çfare ndjen fëmija, çfarë pasojash kanë këto veprime dhe kjo sjellje e të rriturit te i parrituri. Janë të pushtuar nga inati i tyre dhe nuk ekziston gjë tjetër, as detyra, as pergjegjësia dhe as ajo “dashuria” për fëmijën, që e përdorin si mburojë.

I duan fëmijët të edukuar, kur vetë sillen si të munden. I thonë fëmijës të sillet mirë, kur vetë nuk dinë të sillen. Asnjëherë nuk u ka shkuar në mend që janë ata modeli dhe si sillen ata, do të sillet edhe fëmija.

Nëse të rriturit sillen pa u menduar, fëmija do të jetë konfuz dhe nuk do të dijë se si të sillet në publik, apo kur është në një mjedis familjarë. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë që ai është gjithë kohën nën pushtetin e frikës dhe të pasigurisë, se cila është mënyra më e mirë, apo fjala e duhur?Një pediatër  dikur tha: nëse doni, që fëmijët të bëhen të mirë, t’ju respektojnë dhe nderojë, respektojini ju prindër të parët dhe ata nuk do të bëjnë ndryshe.

Pin It