Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar rreth ligjit për importin e mbetjeve. Basha ritheksoi qëndrimin e tij pro referendumit për këtë çështje.
“Që në ditën e parë kemi qenë kundër importit të plehrave në Shqipëri. Qeveria e Ramës u tregua e pabesë duke gënjyer qytetarët dhe duke kaluar një ligj që i hap rrugën mafies ndërkombëtare të plehrave, për të helmuar Shqiptarët dhe fëmijët e tyre,” – tha Basha.
Ai shtoi se niveli i ndotjes nga plehrat në Shqipëri është shqetësues dhe shkak për shumë sëmundje, prandaj nuk duhet lejuar importi i plehrave të tjera.
“Na bashkon ky ligj me shoqërinë civile. Qëndrimi ynë është i qartë, të miratohet dekreti i presidentit. Ta vendosim me referendum popullor dhe bashkë me të të miratohet në Kuvend dhe një moratorium kundër importit të plehrave”, u shpreh Basha.