Bashkëpunimi i MMSR, 5500 vende të lira pune, vijojnë intervistat

job_2426164b

Bashkëpunimi i vendosur mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe shoqatës së agjencive private të punësimit “Employment Albania” ka nisur të japë efektet e veta reale në fushën e punësimit. Kështu, kjo shoqatë, agjencisë ka sjellë ofertën pranë Shërbimit Kombëtar të Punës për rreth 5 mijë vende të lira pune brenda dhe jashtë vendit, përfshi këtu edhe në vende si Abu Dhabi, Dubai, Gjermania dhe Danimarka. Në këtë kuadër, sot përfaqësuesit zyrtarë të kompanive të njohura punëkërkuese të huaja, kanë zhvilluar pranë Zyrës së Shërbimit Të Punësimit, dega Tiranë, intervistat për 300 vende pune me persona të cilët më parë janë regjistruar si të papunë dhe kanë shprehur interes për të. Procesi i intervistimit të punonjësve është ndjekur nga afër edhe nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili do ta konsideronte këtë ofertë një mundësi të mirë për të gjithë ata që kanë një profesion dhe zanat dhe që vërtetë dëshiron të ketë një punë të denjë.

“Agjencia përkatëse që bënë këtë procedurë pranë zyrave tona të punës ofron rreth 5500 vende të lira pune  nga të cilat 2200 janë për në Shqipëri dhe të tjerat pastaj për Abu Dabi, Dubai, Gjermani dhe Danimarkë. Dhe nga oferta e ardhur shihet se kërkohen ekonomistë për zyra të këmbimit valutor, inxhinierë nafte, mësues në çerdhe fëmijësh, shitës dyqanesh në Danimarkë, punonjës specialistë ndërtimi në Gjermani, hoteleriturizëm, infermierë, dentistë, përfaqësues shitjesh në agjenci imobilare etj. Pra janë profesione nga të gjitha zhanret dhe nuk janë profesione që kërkojnë vetëm një nivel të ulët kualifikimi, pra janë profesione që kërkojnë shumë më tepër kualifikim”, ­ tha ministri Klosi.

 

Pin It