Situata aktuale e migrimit në botë, mënyra e trajtimit të refugjatëve nga vendet pritëse dhe pritja e mijëra njerëzve në kufijtë e shteteve kanë nxitur gazetarin Quinn Hargitai të shkruajë një reportazh analitik, në të cilin përshkruan Shqipërinë si shembullin më të mirë të mikpritjes dashamirëse.
“Në të gjithë vendin ishin ndërtuar kampe refugjatësh për kosovarët. Familjet shqiptare shkonin në kampe, gjenin një familje dhe e merrnin në shtëpinë e tyre. Këta nuk ishin të afërm ose mi, ishin të panjohur, por shqiptarët i merrnin, i ushqenin, i vishnin, i trajtonin si të ishin pjesë e familjes së tyre.”
Teksa porositja një kafe makiato në një lokal të vogël në Berat, qyteti i famshëm shqiptar i 1001 dritareve, dëgjova se si Nevila Muka kujtonte pasojat e e Luftës së Kosovëes në vendin e saj. Për t’i shpëtuar vdekjes dhe shkatërrimit që sollën forcat ushtarake serbe në vitet 1990, brenda dy vjetësh më shumë se 500 mijë refugjatë u larguan nga Kosova për të kërkuar strehë në Shqipëri. Shpejt mësova se Muka nuk e kishte vrojtuar eksodin masiv vetëm nga distanca.
“Gjyshja ime mori një familje në shtëpinë e saj. Isha e vogël dhe më kujtohet që luaja shumë me fëmijët e tyre. Më kujtohet se ishin bukëpjekës shumë të mire, bënin bukën më të shijshme që kam provuar ndonjëherë.”
“A nuk ishte e vështirë?” – e pyeta.
“Për ne jo, ne ishim në rregull. Por për shumë familje ishte e mundimshme, shumë prej tyre nuk kishin të ardhura për të mbështetur kosovarët. Shumë vetë hynë në borxhe, por asnjëherë nuk u tërhoqën, nuk kthyen ndonjë mbrapa”.
Kur e pyeta “pse”, ajo ngriti supet.
“Kështu bëjnë shqiptarët, është besa.”
E kisha dëgjuar fjalën besë më parë dhe e dija se nëkuptonte diçka të përafërt me besimin, besueshmërinë dhe fjalën e dhënë, por s’e kisha dëgjuar asnjëherë në këtë kontekst. Muka më shpjegoi se besa është si një kod për shqiptarët, që dikton mikpritjen e tyre bujare. Nëse dikush vjen të kërkon ndihmë, ti i siguron një vend të qëndrojnë. Është kaq e thjeshtë.
Pas diskutimit tonë, isha i magjepsur nga koncepti i besës dhe doja të mësoja më shumë, kështu që kontaktova Orgest Beqirin, një student shqiptar i apasionuar pas historisë, të cilin e kisha takuar gjatë qëndrimit tim në Shqipëri. E dija se nëse ekzistonte dikush që dinte më shumë rreth besës, ky ishte ai.
Kur u takuam, ai më shpjegoi se tradita është trashëguar në shekuj si pjesë e Kanunit të Lekë Dukagjinit, një set ligjesh zakonore të themeluara në shekullin e 15-të për të qeverisur Shqipërinë e veriut. Edhe pse Kanuni cilësohet si burimi origjinal i besës, shumica besojnë se tradita është më e vjetër dhe se Kanuni thjesht shprehu me fjalë traditat fisnore që ekzistonin prej kohësh.
“Është një proverbë e vjetër e shkruar në Kanun, – me tha ai, – “Shpija para se me qenë e Shqiptarit, asht e Zotit dhe e mikut”. Është një traditë e fortë, dhe në kohët e vjetra, një udhëtar ose refugjat mund të trokiste në derën e shtëpisë së parë që gjente dhe të pyeste “O i zoti i shtëpisë, a prisni miq?” dhe pronari duhej ta strehonte. Kanuni thotë se i zoti i shtëpisë duhet të ketë gjithmonë një shtrat rezervë të gatshëm në çdo kohë të ditës apo natës, në rast se një mysafir vjen papritur.”
“Pra ishte një detyrim?” – e pyeta unë. “Edhe nëse nuk doje ta strehoje dikë, ishe i detyruar nga besa ta bëje?”
“Jo saktësisht. Po, është një detyrë. Por shumica e shqiptarëve vërtet gëzojnë kur presin miq. Është një çështje krenarie për ta. Në fakt ka edhe një histori të vjetër për një qytet në veri, ku vendasit u rebeluan kur po ndërtohej një hotel aty. Të gjithë njerëzit shkuan në bashki dhe u ankuan, duke thënë se kushdo që kishte nevojë për një vend për të qëndruar mundej të trokiste në dyert e tyre.”
Edhe pse disa aspektë të veçantë të besës e kanë humbur qëndrueshmërinë e tyre me kalimin e kohës, ky sens i përgjithshëm i detyrës dhe mikpritjes është trashëguar tek shqiptarët sot. Edhe pse Lufta e Kosovës ishte kriza më e madhe me të cilën pati të bënte vendi, kjo nuk ishte as e para as e fundit.
Pak e njohur për shumicën e njerëzve, Shqipëria ishte shteti i vetëm europian që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj se në fillim të luftës, duke ruajtur gjithë berenjtë e mëparshëm dhe duke strehuar më shumë se 2000 të tjerë nga shtetet fqinje. Pavarësisht presionit të fashistave italianë dhe pushtuesve nazistë, shqiptarët refuzuan t’i dorëzonin mysafirët e tyre, sikur po ta bënin diçka të tillë, jo vetëm që do ishte turp i madh, por do të lidhte të zotin e shtëpisë pas detyrimit për të “pastruar gjakun”, pra për të marrë hak.
Së fundmi Shqipëria e ka gjetur veten sërish duke i ofruar besën atyre që udhëtojnë që nga Lindja e Mesme. Qindra refugjatë sirianë strehohen aktualish në këtë shtet, pasi janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre të shkatërruara nga lufta. Refugjatë sirianë iu është ofruar strehim, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se 500 mijë refugjatët kosovarë që strehoi Shqipëria janë një dëshmi se BE në tërësi mund të bëjë më shumë për të përballuar barrën aktuale.
Pavarësisht nga të gjitha këto raste heroike, Shqipëria pa pretendime mbetet e panjohur për shërbimet e saj të mëdha ndaj masave të shtypura të botës. E vërteta mbetet se ky vend ballkanik është i vogël dhe i varfër, dhe si i tillë zor se merr vëmendjen ndërkombëtare për bëmat e tij. Megjithatë, në një kohë kur refugjatët janë duke u kthyer mbrapsh në kufijtë e shteteve në të gjithë botën, duket se ka shumë për të mësuar nga dëshira e Shqipërisë për mikpritjen.
Më vonë e ndava këtë mendim me Mukën, kohë pas diskutimit tonë të parë për kosovarët që familja e saj strehoi.
“Eshtë turp që shumica e këtyre gjërave janë të panjohura. Shqipëria është aq larg radarit, sa shumica e gjërave ndodhën pa u vënë re nga dikush,” – thashë unë.
Ajo buzëqeshi me vetëdije, duke tundur kokën.
“Po, por tani ju e dini, dhe kjo është diçka. Ju mund të filloni duke u treguar të tjerëve. Ndoshta një ditë pjesa tjetër e botës gjithashtu do të mësojë në lidhje me të.”