Fëmijët e Lumtur – Adnani dhe Ismaili

https://soundcloud.com/spektrum-group/femijet-e-lumtur-adnani-dhe-ismaili

FËMIJËT E LUMTUR

Emisioni “Fëmijët e Lumtur” ditën e enjte erdhi me të tjera pjesë të përzgjedhura për fëmijë, mesazhe të vlefshme dhe dy të ftuar të vegjël simpatikë, Adnanin dhe Ismailin.

Programi nisi me një bisedë të shkurtër në të cilën dy vëllezërit prezantuan veten dhe përvojën e tyre në ditën e parë të shkollës për këtë vit të ri shkollor. Ata na treguan se si i kanë kaluar pushimet verore dhe se çfarë iu pëlqen të bëjnë në kohën e lirë.

Dy të ftuarit tanë na thane se iu pëlqejnë shumë librat me tregime, madje Adnani na tregoi se lexon rregullisht librin “Profeti ynë i dashur me gjuhën e e kafshëve, bimëve dhe sendeve”, sepse meson shumë gjëra të bukura nga aty.

E VËRTETË APO E GABUAR

Në rubrikën “E vërtetë apo e gabuar” këtë herë mësuam disa fakte të reja interesante. Së pari mësuam se elefantët nuk i harrojnë kurrë miqtë e vjetër dhe i dallojnë kushërinjtë e tyre nga aroma. Ata janë shumë të ndjeshëm dhe të dhembshur ndaj të vegjëlve të tyre. Po ashtu zbuluam se në botë nuk ka dy zebra të njëjta. Pavarësisht se duken si të tilla, çdo zebër ka një model të veçantë vijash bardhezi. Vijat në lëkurë i ndihmojnë zebrat t’iu shmangen grabitqarëve dhe insekteve që parapëlqejnë ngjyrat e çelëta.

Kurioziteti i tretë na mësoi se struci nuk e fsheh kokën nga frika, pasi nëse ndodhet në rrezik ai është i aftë të vrapojë shumë shpejt. Shpendi më i madh në botë është një sprinter i vërtetë në vrap. Ndërsa minjtë në të vërtetë nuk e pëlqejnë djathin aq shumë sa duket në filmat vizatimorë. Një mi me shije do të preferonte frutat, drithërat dhe farat. Ndryshe nga ç’mendohet minjtë janë shumë miqësorë dhe të kujdesshëm për shokët e tyre. Ata e ndajnë ushqimin me të tjerët dhe ndihmojnë njëri-tjetrin në rast rreziku.

Në pjesën e dytë të emisionit Adnani na tregoi se i pëlqen shumë noti dhe verës shkon në pishinë, ndërsa Ismaili tha se sporti i tij i preferuar është karateja. Dy vëllezërit treguan se si e ndihmojnë njëri-tjetrin me mësimet dhe në punët e shtëpisë. Ata rregullojnë lodrat e tyre dhe ndihmojnë mamin të vendosë rregull në shtëpi.

TREGIM

Tregimi i përzgjedhur për këtë herë ishte “Vrapo lepurush”, i cili rrefente historinë e një lepurushi përtac, që nuk shkonte në shkolle, nuk pastronte dhe nuk i pëlqente të lahej. Një ditë ai u largua pa leje nga shtëpia drejt pyllit, ku e pa maçoku Aleksandër. Maçoku e ndoqi për ta kapur dhe lepurushi vrapoi i frikësuar drejt shtëpisë, duke u penduar që nuk i kishte dëgjuar këshillat e mamit.

ENCIKLOPEDI

Në këtë rubrikë u njohëm me mënyrën se si shkaktohen vullkanet. Ata shpërthejne nga forca e shtypjes së gazit dhe lëngjeve nën tokë. Magma e nxehtë që ngjitet drejt sipërfaqes së tokës bashkë me forcën e gazit shkakton çarjen e shkëmbinjve dhe shpërthimin e vullkanit. Kjo temë ngjalli kureshtjen e dy miqve tanë në studio të cilën shtuan informacionet e tyre rreth vullkaneve.

Në pjesën e tretë të emisionit Adnani dhe Ismaili na treguan se si përgatitet çokollata, që ata e kanë shumë qejf. Ata nuk harruan të këshillojnë bashkëmoshatarët e tyre që të lajnë dhëmbët pas ngrënies, sidomos pas ngrënies së çokollatave.

Ismaili, i cili ndjek klasën e parë, recitoi për dëgjuesit e emisionit tonë një vjershë të bukur kushtuar stinës së vjeshtës. Ndërsa Adnani tha se në këtë stinë duhet të kujdesemi më shumë për shëndetin dhe të ruhemi nga i ftohti duke pirë çaj kamomili e duke konsumuar mjaltë.

Pjesa tjetër e perzgjedhur për të gjithë dëgjuesit e radios sonë ishte “Bletët e Taifit”

BLETËT E TAIFIT

Bletët e Taifit kishin ndërtuar kosheren e tyre në trungun e një peme. Ato kujdeseshin çdo ditë për kosheren, bletët e vogla dhe mblidhnin nectar për të bërë mjaltë. Ton toni dhe Bon boni ishin dy bletë shumë punëtore. Një ditë teksa shëtisnin lule më lule ato po bisedonin me njëra-tjetrën. Ton toni tha se mjalti që ato bënin është shumë i dobishëm për njerëzit, ndërsa shoqja e saj falenderoi Zotin që i ka krijuar me një aftësi të tillë.

Papritmas ato panë tezen e tyre nga Meka që po fluturonte me nxitim drejt tyre. Tezja iu tregoi bletëve të vogla se kishte sjellë lajme nga Meka rreth profetit Muhamed.

“Ai është një njeri që i fton njerëzit të besojnë në një Zot të vetëm, të bëjnë punë të mira, të ndihmojnë njëri-tjetrin, të jenë të pastër dhe fytyrëqeshur. Por jo të gjithë njerëzit e përkrahin atë. Ka disa që i kërkojnë atij të heqë dorë nga feja e tij dhe në shkëmbim i ofrojnë pasuri të mëdha. Por profeti Muhamed thotë se edhe sikur t’i vënë diellin në dorë të djathtë dhe hënën në të majtën, nuk do të heqë dorë nga rruga e tij. Prandaj idhujtarët iu shkaktojnë vuajtje atij dhe shokëve të tij myslimanë, duke i lënë pa ushqime. Por asnjë mysliman i vetëm nuk është kthyer nga besimi i tij.”

“Sa njerëz të mirë”, thanë bletët e vogla, “sikur të ishin këtu dhe t’u jepnim nga mjalti ynë”.

Tezja iu tha bletëve të vogla se profeti Muhamed do të shkonte atë ditë pikërisht në Taif për të shpjeguar besimin banorëve të Taifit. “Prandaj erdha dhe unë që t’ju ftoj të shkojmë të gjithë ta dëgjojmë”.

Dy bletët e vogla ishin shumë të emocionuara që do të shihnin profetin Muhamed. Por banorët e Taifit nuk e pretën mirë Profetin e Nderuar. Ata jo vetëm nuk e dëgjuan, por e shanë profetin dhe e goditën me gur. Zejdi mundohej ta mbronte por më kot. As zukatjen e bletëve nuk e dëgjoi askush.

Pastaj ato dëgjuan profetin teksa i lutej Allahut ta ndihmonte. Ato panë skllavin Adas që i çoi një pjatë rrush profetit të nderuar. Profeti tha “bismilah – me emrin e Zotit” para se ta hante rrushin. Ata biseduan pak dhe profeti mësoi se Adasi ishte nga vendi i profetit Junus. Më pas profeti e puthi Adasin në ball dhe ai u bë mysliman. Kjo ishte pamja më e bukur që kishin parë bletët e vogla.

Kur profeti dhe Zejdi po largoheshin, bletët e vogla panë engjëllin Xhebrail që kishte ardhur të ndëshkonte Taifasit për keqtrajtimin e profetit. Por profeti nuk e deshi një gjë të tillë. Ton toni dhe Bon boni mbetëen të mahnitura nga mirësia dhe mëshira e profetit Muhamed. Ato vendosën që nga ajo ditë të luteshin vazhdimisht për myslimanët.

Pin It