Biblioteka Kombëtare e Indonezisë, moderne me plot 24 kate!

Biblioteka Kombëtare e Indonezisë është një ndërtesë 24-katëshe e vendosur në Xhakartën qendrore, përballë Monumentit Kombëtar (Monas).

E cilësuar si biblioteka më e lartë kombëtare në botë, me lartësi 124 metra, është mjaft moderne dhe e pajisur me teknologjinë e fundit.

Në këtë ndërtesë gjenden rreth 4 milionë libra. “Librat e ruajtur këtu janë nga shekujt 14-të, 16-të dhe 18-të.

Gjithashtu vizitorët mund të gjejnë edhe librat më të fundit”, tha Agus Sutoyo, kreu i shërbimit në Bibliotekën Kombëtare të Indonezisë, për The Jakarta Post.

Biblioteka ka rreth 70 kompjutera dhe mjafton të kërkoni titullin e librit ose emrin e autorit dhe kompjuteri do t’ju japë një numër se në cilën kat duhet të shkoi për të gjetur librin që dëshironi. Kati i shtatë i dedikohet fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi ndryshe.

Kjo bibliotekë është e hapur nga e hëna deri të dielën dhe përveçse është e mbushur me libra, ka kënde lojërash, ballkone të jashtme dhe çerdhe.

Kati i tetë përmban koleksione audiovizive. Është vendi ku njerëzit mund të shikojnë filma. Gjithashtu ka një dhomë private diskutimi dhe një mini teatër që mund të mbajë deri në 35 vetë. Kati i 14 është vendi për librat e rrallë.

Megjithatë, publiku ende nuk mund ta vizitojë për shkak se koleksionet nuk janë vendosur akoma.

Të gjitha llojet e hartave, duke përfshirë hartën e parë në Indonezi, fotografitë dhe pikturat klasike mund të gjenden në katin e 16-të, ndërsa katet e 17 dhe 18 shërbejnë si një zyrë për Akademinë e Shkencave të Indonezisë (AIPI).

Kati 19 është shtëpia e dhomës multimediale të bibliotekës. Ata që kërkojnë të lexojnë gazetat dhe revistat aktuale dhe të vjetra, që nga vitet 1800, mund të vizitojnë katin e 20-të.

Kati i 24-të gjithashtu ka një sallë pritjeje ekzekutive ku mund të organizohen ngjarje të vogla, konferenca për shtyp dhe takime.

 

Pin It