Biçikletat, “delja e zezë” e mjeteve të transportit në vend

A7D4FC3F-3086-464E-A04D-A4C6D30F5C88_mw1024_s_n

Biçikleta është një ndër format e udhëtimit më pak të kushtueshme në botë, numri i përdorimit të të cilave është rritur edhe në Shqipëri. Por, kjo nuk ndodh për arsye ambientaliste si mbrojtja e mjedisit por si një alternativë ekonomike e të udhëtuarit nëpër qytet. Problematika e kryeqytetit tonë është mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për lëvizjen në qytet, por edhe fenomeni i vjedhjes së tyre është kthyer tashmë në një modë. Rreziqe të tilla merren përsipër duke marrë në konsideratë faktin se alternativa e blerjes së një makine, e mirëmbajtjes së saj, çmimi i naftës në Shqipëri, por edhe kostoja e udhëtimit me mjete të transportit publik janë relativisht më të larta se sa posedimi i një biçiklete.

‘Ecovolis’ njihet prej vitesh në Tiranë, jo vetëm për fushatat që ndërmerr në kuadër të përdorimit të shpeshtë të biçikletave, por edhe për skemën e saj të qiradhënies së biçikletave, të cilat janë të shpërndara në shumë pika në kryeqytet. Ata pohojnë  se kërkesat e shqiptarëve për të marrë me qira një biçikletë kanë ardhur në rritje me kalimin e viteve, aq sa kanë shtuar edhe vendet, edhe numrin e biçikletave në Tiranë. Kryesisht, sipas tyre, të rinjtë shfaqin më tepër dëshirën për të pasur një biçikletë.

Kriza, pse biçikleta? Sipas disa prej dyqaneve të pyetura në Tiranë, çmimi i një biçiklete fillon nga 15,000 lekë dhe arrin edhe shifra të larta si 200,000 lekë e më tepër. Me gjithë ekzistencën e shumë dyqaneve që tregtojnë biçikleta në rrugët kryesore në kryeqytet apo qytete të tjera, ashtu sikurse edhe firmat e sportit të njohura që kanë përfaqësitë e tyre në vendin tonë, ka edhe alternativa më pak të kushtueshme për të gjithë ata që duan të posedojnë një biçikletë. Në kryeqytet ekzistojnë dy tregje, ai në Pazarin e Ri dhe një tjetër pranë zonës së Medresesë, te të cilët mund të gjenden biçikleta me kosto relativisht të ulët.

Ndërsa bizneset që merren me tregtimin e biçikletave pohojnë se fenomeni i vjedhjes ka pasur një impakt negativ në aktivitetin e tyre tregtar, duke qenë se me artikuj të tillë, më të lirë, konkurrenca është e pandershme dhe një pjesë e mallit mbetet e pashitur.

Në kryeqytet, pavarësisht mësymjes së kontrolleve bashkiake, në ndonjë cep gjithnjë do gjendet një treg i “sajuar” për të shitur biçikleta të përdorura, por në gjendje të mirë, ekzistenca e të cilave tundon shumë persona për t’i blerë, duke qenë se bëhet fjalë për çmime më ekonomike se sa ato në dyqane.

Mungesa e infrastrukturës dhe aksidentet janë dy arsyet kryesore që e shndërrojnë biçikletën në “delen e zezë” të transportit në vendin tonë. Ndonëse me kalimin e viteve janë shtuar vendet pedestrale në rrugët kryesore në kryeqytet, mbipopullimi në shumë zona në Tiranë e ka bërë të vështirë udhëtimin me biçikletë. Ndërsa në qytetet më të vogla si Shkodra dhe Durrësi vihet re një përdorim më i gjerë i biçikletave, duke qenë se qendrat e qyteteve ofrojnë mundësi që të lëvizin më me lehtësi. Banorët në këto dy qytete tregojnë se kushtet janë të mira për të aksesuar punën, shkollën etj., me anë të një biçiklete. Ndërsa dyqanet e shitjeve me pakicë në këto dy qytete ofrojnë biçikleta me çmime më të lira se sa në Tiranë. Në Shkodër, një i interesuar mund të blejë një biçikletë edhe me 8,000 lekë, duke qenë se ata pohojnë se biçikletat i marrin direkt nga Italia dhe Mali i Zi. Ndërsa në Durrës, përfaqësuesit e një dyqani shitjeje pranë qendrës tregojnë se më së shumti, biçikletat blihen për fëmijët, shifrat për të cilët shkojnë në 5,000­7,000 lekë, si dhe për moshat e mëdha, duke përjashtuar kështu përdorimin e tyre nga të rinjtë.

Pin It