Bienalja e Venecias, arkitektura dhe polifonia shqiptare rrëfejnë historinë e migrimit

 

1111

Shqipëria merr pjesë në edicionin e 15-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2016 me projektin “Të kam lënë malin”, një rrëfim në këngë dhe arkitekturë për historinë e migracionit dhe pasojat në arkitekturën vendase.

Pavijoni shqiptar në këtë ekspozitë është një ndërthurje e arkitekturës dhe muzikës polifonike dhe ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë dhe medias ndërkombëtare.

“Kur arkitektura bëhet fjalë dhe këngë. Një Bienale që të bind dhe që na kërkon të mbajmë qëndrim”, shkruan Amanda Prada për “Vogue” duke mos harruar të përmendë veçantinë e polifonisë shqiptare të njohur nga UNESCO si “trashëgimi kulturore jomateriale”.

Tekstet e këngëve plot mall dhe isopolifonia përshkruajnë më së miri plagët e emigrimit teksa ilustrojnë instalacionet arkitekturore të pavionit shqiptar. E pranishme në ceremoninë e hapjes ishte edhe ministrja Mirela Kumbaro, e cila tha se këngët e kurbetit përshkruajnë më së miri një nga plagët e shoqërisë shqiptare dhe pasojat që emigrimi ka lënë në arkitekturën e vendit.

Kuratorët e këtij projekti, arkitekti Simon Battisti dhe artistja e dizajnit Leah Whitman-Salkin kanë bashkuar artistë të fushave të ndryshme për të sjellë këtë prezantim të veçantë të Shqipërisë.

“Kemi 10 poetë, shkrimtarë, mendimtarë të cilët shkruan tekstin dhe më shumë se 40 këngëtarë, të cilët erdhën për të performuar. Pra kënga nuk ka vetëm një mesazh, por një kompleksitet emocionesh dhe eksperiencash që vijnë nga njerëz që e kanë përjetuar emigracionin dhe zhvendosjen”, shprehen ata.

Këngët interpretohen nga grupi i Fierit, grupi “Bilbili” nga Vlora, grupi nga Tirana dhe grupi i grave nga Himara. Pjesë e pavijonit shqiptar do të jenë edhe performanca, debate e workshope të hapura.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias, ku promovohen traditat dhe risitë arkitekturore së bashku me veçoritë kulturore të vendeve pjesëmarrëse. Tema e ekspozitës për këtë vit është “Raportim nga fronti”, të cilës Shqipëria i është përgjigjur me projektin “Të kam lënë malin”.

 

Pin It