Birminghami, qyteti europian që feston më shumë Fitër Bajramin

Fitër Bajrami është festa e myslimanëve, e cila shënon mbarimin e muajit të Ramazanit dhe fillimin e muajit Sheval. Me ndryshime të vogla në datë, myslimanët në të gjithë botën festojnë përmbushjen e muajit të mëshirës dhe faljes.

Birminghami në Angli është qyteti me festivalin më të madh të festimeve të kësaj dite në Europë. Festimet dhe namazi i Bajramit në Birmingham mbahen prej gjashtë vjetësh në parkun Small Heath Park. Numri i pjesëmarësve, i cili ka ardhur gjithnjë në rritje, këtë vit pritet të jetë rreth 75 mijë.

Festimet e Fitër Bajramit fillojnë me faljen e namazit të Bajramit dhe vazhdojnë më pas me aktivitete të shumta sociale dhe argëtuese si qitje, golf, cirk, kalërim dhe stendat me ushqime të larmishme.

Aktivitetet organizohen nga Qendra Komunitare dhe Mesxhidi Green Lane në bashkëpunim me xhamitë e Birminghamit, të cilët përpiqen të krijojnë një atmosferë të përshtatshme për t’u lutur, për të qeshur, ngrënë dhe shijuar të gjitha mirësitë e jetës.

“Festivali është i hapur për të gjithë komunitetin dhe ne i mirëpresim besimtarët e të gjitha feve t’iu bashkohen festimeve,” – shprehen ata.

Policia e zonës bashkëpunon rregullisht me organizatorët për përmbushjen me rregull të aktiviteteve, edhe pse siç thonë ata, çdo gjë zhvillohet shumë butë dhe qetë.

“Këtë vit “Small Heath Park” do të presë një numër të madh vizitorësh dhe ne jemi shumë të lumtur që kjo festë e madhe bëhet në qytetin tonë,” – shprehet një nga policët.

Domethënia e Fitër Bajrmait është thellësisht shpirtërore. Është një ditë në të cilën njerëzit falenderojnë Zotin për gjithë të mirat që iu ka dhënë dhe forcën që i ka frymëzuar për të përmbushur sakrificën e agjërimit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Pin It