Bursa për studentët shqiptarë të cilët do të studiojnë sistemin e Tollo-s

“Shqiptarët në Tollo janë aq të integruar, sa nëse një ditë do të vendosnin të mos punonin më, ekonomia do të goditej rëndë”.

Kështu u shpreh kryebashkiaku i qytetit të njohur për vreshtat dhe ullishtet në rajonin e Abruzzo-s, Angelo Radica, gjatë takimit me ministrin e Shtetit për Diasporën Pandeli Majko.

Ndërsa përmendi rëndësinë që ka komuniteti shqiptar dhe shembujt e panumërt të integrimit të suksesshëm, Radica sugjeroi që sistemi i Tollo-s të shfrytëzohej si model.

“Tollo është një emblemë e integrimit dhe unë do të doja ta propozoja atë si model, mbi bazën e praktikës europiane ‘best practice’. Kur diçka në një vend të caktuar fuksionon mirë, duhet patjetër të kopjohet”, – tha kryebashkiaku, i cili u shpreh i gatshëm të ofrojë bursa për studentët shqiptarë të cilët do të studiojnë sistemin e Tollo-s.

Kryetari i bashkisë e shoqëroi më vonë ministrin në takimin me përfaqësues të komunitetit, ku edhe një herë shprehu mirënjohjen për shqiptarët atje, duke i cilësuar shtyllë të shoqërisë së Tollo-s. Ai vlerësoi gjithashtu propozimet konkrete të z. Majko për mësimin e gjuhës shqipe.

“Ai na dha një shembull se si mund të bashkohet dhe integrohet një komunitet”, – ishin fjalët e z. Radica.

Nga ana e tij, ministri Majko falënderoi të pranishmit për emrin e mirë që i kanë dhënë komunitetit. Ministri shprehu qëllimin për krijimin e një marrëdhënieje me autoritetet rajonale, që siç tha, kanë një rol kyç sa i përket politikave për emigrantët. Në bashkëbisedimin e hapur u fol për reformat e ndërmarra deri më tani për çështjen e diasporës, pensioneve dhe gjithashtu të drejtën e votës. Sa i përket çështjes së pensioneve, ministri pohoi se për çdo shtet po negociohet një mënyrë e caktuar veprimi.

Gjatë qëndrimit në Tollo, ministri Majko vizitoi edhe një kantinë të suksesshme vere, e drejtuar nga Adriatik Ziu. Kantina prodhon rreth 160 kuintalë verë në vit për rajonin e Abruzzo-s. /ATA/

Pin It