Ramazani, muaji i butësisë, i faljes, i miqve dhe sofrës

Muaji i Ramazanit, i cili shfaqet në horizontin tonë me bukuritë e tij magjepsëse, si agjërimi, iftari, syfyri, namazi i teravive, duke na futur brenda një atmosfere të përshpirtshme, ka një ndikim të jashtëzakonshëm sidomos në këto kohë kur tendosjet psikologjike vijnë njëra pas tjetrës pareshtur, kur dhuna dhe ashpërsia kanë marrë një dimension të pamasë, kundërshtitë shihen sikur të ishin ndofarë talenti më vete, e ftohtësia ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore përjetohet ndjeshëm, duke bërë të mundur që shpirtrat të futen edhe njëherë në hullinë e paqtimit, pa lënë që të mos depërtojë më, mes apo brenda tyre, asnjë fije ashpërsie apo ngurtësie e çfarëdoshme.

Eshtë një e vërtetë që njeriu i sotëm ndjen brenda vetes një respekt karshi këtij muaji që karakterizohet prej qetësisë, butësisë apo përshpirtshmërisë. Kështu që, sado të rrethuar prej lloj-lloj gjërash të papëlqyera, nëse do ta përdorim siç duhet vullnetin tonë, mund ta hapim plotësisht zemrën karshi këtij diapazoni kohe, e po ashtu t’i drejtohemi atij me gjithë ndjenjat dhe respektin që meriton, atëherë edhe ai ka për të na përqafuar që ta derdhë mbi ne begatinë dhe mëshirën e tij, duke ia zënë shtegkalimin çdo shfaqjeje të dhunës, ashpërsisë apo mllefit, derisa të bëjë që mbi shoqërinë t’ia behin retë e qetësisë dhe rehatisë shpirtërore.

Shumëllojshmëri miqsh në vend të shumëllojshmërisë së ushqimeve

Ndërsa përsa i përket asaj se çfarë duhet bërë, për shembull dikush që banon në një apartament mund t’ua shprehë xhentilesën dhe bujarinë e tij komshinjve të tij, qofshin ata përfaqësues të cilësdo kulturë a botëkuptim, duke i ftuar ata për ta çelur iftarin së bashku, me kushtin që t’i lajmërojë disa ditë më parë. Madje, pasi t’i gostisë me ushqimet që ka përgatitur, t’u thotë: “Ju treguat durimin për ta pranuar ftesën dhe gostinë tonë. Duhet ta pranoni, por kjo është taksa për dhëmbët tuaj.”, duke u dhënë edhe nga një dhuratë të përgatitur më parë. Nëse ekzistojnë mundësitë, mund të përpiqet t’u kënaqë edhe shpirtrat e fëmijëve të tyre, duke u dhuruar edhe atyre nga ndonjë dhuratë. Në të njëjtën mënyrë, edhe një mësues, apo dikush që jep mësim në universitet, ose edhe dikush që punon në një tjetër institucion çfarëdo, pa bërë ndarje klasore mund t’ia hapë portën kolegëve të tij, duke dhënë një kontribut të çmueshëm në paqen shoqërore.

Ne duhet ta vlerësojmë aq mirë këtë muaj të begatë dhe të shndritshëm, saqë nuk duhet të ngelet asnjë sofër ku të mos shtrohet iftar. Dhe këto sofra, në vend të shumëllojshmërisë së asortimenteve ushqimore, duhet të jenë të mbushura me sasi dhe shumëllojshmëri miqsh. Siç e dini, Profeti ynë i Dashur (s.a.s.) shprehet: “Ushqimi i përgatitur për dy vetë mjafton edhe për tre, dhe ushqimi i përgatitur për tre vetë mjafton edhe për katër.” Nga ky këndvështrim, numri i madh i miqve që mund të ftohen në shtëpi nuk duhet të përbëjë asfarë shqetësimi.

Dhe një veprim i këtillë është një rrugë diplomatike tejet e rëndësishme për mbylljen e humnerave ndërmjet grupimeve të ndryshme shoqërore, asisoj që ndihmon parandalimin e çdolloj paragjykimi. Sepse, në të vërtetë, shumë probleme që nuk mund të zgjidhen dot asnjëherë prej përdorimit të forcës dhe dhunës, apo me çdo trajtë tjetër mekanizmi, mund të zgjidhen, madje shumë lehtë me anë të kësaj rruge. Po, nëse ju ia hapni zemrën tuaj kujtdo, dhe me njerëzoren tuaj hyni në zemrat e bashkëbiseduesve tuaj, duke përgatitur në zemrën tuaj një vend ku mund të ulet kushdo, asisoj që ato zemra do të gjenden përherë pas jush, e nuk ka inat, urrejtje, mllef, dhunë, vrasje dhe gjakderdhje që të mos parandalohet. Madje, njerëzimi e ka parë mjaft mirë se si disa probleme dhe shqetësime nuk zgjidhen dot kurrsesi me përdorimin e kërcënimeve. Përkundrazi, ata kanë parë se si me përdorimin e kërcënimit, kundërshtarët janë ashpërsuar më tej, duke u hedhur drejt organizimesh akoma edhe më të nxehura, të ngritura mbi boshtin e shkatërrimit.

Në një fjalë të urtë thuhet: “Një kafeje të pirë i zgjat hiri dyzet vjet.” Kështu që, edhe iftari që do të shtrojmë ne ka për t’u kujtuar për dyzet vjet. Nga ky këndvështrim, nuk do shmangur prej një veprimi të tillë, i cili do të na kthehet prapa në këtë farë mënyre. Ne nuk mund ta dimë, ndoshta kjo mund të jetë edhe begatia e vërtetë e muajit të Ramazanit. Domethënë, ne, ashtu si, duke agjëruar apo duke falur namazin e teravive, do të përfitojmë shumë mirësi në jetën e përtejme, do të përjetojmë edhe hyrjen në zemrat e njerëzve, që është një përfitim i një tjetër natyre. /islami.al/

Pin It