Check up-i, në funksion laboratori i lëvizshëm

Milva-Ikonomi

Banorët e qytetit të Vlorës, sidomos ata të zonave rurale kanë mundësi të kryejnë kontrollin bazë falas edhe pranë banesave të tyre në rastet kur ata nuk mund të shkojnë të ekzaminohen tek qendrat Shëndetësore. Ky shërbim iu ofrohet nëpërmjet laboratorit të lëvizshëm, i cili është vendosur në qytetin bregdetar dhe shkon deri në fshatrat më të largët për të kryer ekzaminimet në popullatë.

Ky fakt është pohuar nga zëvendësministrja e Shëndetësisë,  Milva Ekonomi gjatë një vizite pune që ka kryer në kabinetet e check–up në qendrat shëndetësore në Vlorë dhe atë të Novoselës e shoqëruar edhe nga kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor,Eltar Deda.

“Në Vlorë është edhe laboratori lëvizës i check-up. Kemi zona të largëta të cilat nuk e sjellin dot banorin pranë qendrës por shkon laboratori mobil pranë tij. Ju jeni nga zonat që keni përfituar edhe shërbimin mobil të check-up. Në të tilla raste, janë bërë zgjedhje alternative në mënyrë që të ndihmohet qytetari shqiptar” ka pohuar Ekonomi.

Sipas saj, në sajë të reformës për vendosjen e sistemit të mbulimit universal të kujdesit shëndetësor që ka marrë nga qeveria, gjithsecili ka mundësinë që të kontrollohet falas te mjeku i familjes, ndërkohë që me anë të kontrollit bazë, mund të të zbulojë më herët sëmundjet dhe t’i parandalojë ato kur janë në stadet e para.

Mjekët e Qendrës Shëndetësore nr. 4 në Vlorë kanë pohuar se numri i kërkesave për check-up këtë vit është rritur ndjeshëm, ndërkohë që edhe numri i rasteve të cilët janë evidentuar me probleme  shëndetësore për herë të parë nga kontrolli bazë ka qenë i lartë.

“Nga kontrollet, 803 që u kryen gjatë vitit të kaluar në qendrën tonë, 196 prej tyre kanë pasur nevojë për t’u konsultuar me mjekun specialist. Janë zbuluar patologji të ndryshme për të cilat pacientët nuk ishin në dijeni për ekzistencën e tyre. Në rastet kur kemi patur raste të problemeve serioze të shëndetit të pacientëve, specialistët e poliklinikës kanë bërë konsultat në grup,” ka pohuar mjekes dermatologe Blerina Alla, drejtuese e kësaj QSH-je.

Rezultatet e deri tanishme të kontrollit bazë në këtë qytet kanë treguar se 444 persona kanë rezultuar me hipertension, 220 me diabet, 255 më sëmundje kardiovaskulare, 220 me anemi të theksuar nga 10 550 ekzaminime të kryera në total.

 

Pin It