Interesat bankare më të ulëta se inflacioni

2154-1024x768

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se interesat kanë rënë thuajse për të gjithë instrumentet kryesore të kursimit. Sipas Bankës, për depozitat njëvjeçare, interesat kanë zbritur në 1.4 për qind duke qenë më të ulëta edhe se inflacioni, ndërkohë që të njëjtën tendencë kanë ndjekur edhe depozitat më afatgjata.

Në dy vitet të fundit shumë kursimtarë janë mbrojtur duke i zhvendosur kursimet e tyre nga depozitat te bonot e thesarit, por tani edhe këto instrumente nuk janë më aq të leverdishme. Në ankandin e radhës, interesat e bonove njëvjeçare, mjeti i dytë më i preferuar i kursimeve pas depozitave, ranë në 1.85 për qind, çka përbën nivelin më të ulët historik. Ekspertët sqarojnë se interesat e ulëta të kursimeve janë rezultat i gjendjes në të cilën ndodhet ekonomia dhe tregu i brendshëm financiar.

“Në radhë të parë, kjo situatë reflekton një tepricë të madhe likuiditeti në tregun financiar dhe një kërkesë të ulët për para si për kredi ashtu dhe nga qeveria”, thotë Adrian Civici, ekspert ekonomie. Arjan Kadare vlerëson se interesat e kursimeve do mbeten të ulëta të paktën edhe gjatë këtij viti. Sipas tij, kjo situatë prek më shumë kursimtarët e vegjël. “Ata të cilët nuk kanë mundësi të investojnë në instrumente me risk më të lartë për shkak se kanë shuma të vogla parash, marrin një normë interesi më të ulët se inflacioni dhe fuqia blerëse e tyre reale bie”, thotë Kadare, ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH.
Por si mund të mbrohesh nga rënia e interesave? Sipas ekspertëve, një mënyrë do ishte investimi në mjete më afatgjata kursimi. “Nëse kursen për të çuar në shkollë djalin, vajzën, mirë do jetë të blesh obligacione dhjetëvjeçare të qeverisë. Japin interesa shumë më të larta, vetëm se kanë një problem, nëse do t’i shesësh në mes të rrugës, mund të kesh humbje kapitale”, deklaron ai.
Ndërsa Ardian Civici thotë se Shqipëria duhet të zhvillojë tregun financiar, ku të mos jenë vetëm bankat institucionet e investimit, por edhe të tjera. “Duke filluar që nga bursat, tregjet e kapitali, instrumente të tjera zhvillimi, fonde financimi, fonde pensionesh, fonde zhvillime e shumë të tjera ku njerëzit mund të investojnë paratë e tyre”, thotë Civici.
Për shumë vite Shqipëria ka qenë gati një parajsë për ata që kursenin duke ofruar norma të larta fitimi. Por tani ekonomia, ashtu si kudo në Europë ka hyrë në një epokë të re, atë të normave të ulëta e madje edhe negative të interesave.
Reagimi. Propozimi i qeverisë për anëtarësimin e detyrueshëm të biznesit pranë dhomës së tregtisë nuk është pritur mirë nga organizatat homologe që zhvillojnë aktivitetin në vendin tonë. Presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë, Mark Croëford, u shpreh për TV SCAN, se ky propozim për anëtarësimin e detyrueshëm është një taksë indirekte për biznesin, si dhe një kontroll më i madh i qeverisë mbi komunitetin e biznesit. Çdo biznes do të ketë detyrimin për t’u anëtarësuar në një dhomë tregtie e si rrjedhojë edhe të paguajë kuotën e anëtarësisë. Projektligji i ri që ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare, “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë” parashikon heqjen e aspektit vullnetar të anëtarësimit duke e bërë të detyrueshëm. Referuar ndryshimeve ligjore, duke e bërë të detyrueshëm anëtarësimin dhe pagesën e kuotës, projektligji garanton rritjen e të ardhurave për Dhomat. Duke qenë se anëtarësim ka qenë vullnetar, Dhomat e Tregtisë nuk kanë arritur të sigurojnë buxhete minimale për ushtrimin e aktivitetit çka ka sjellë uljen e rolit të dhomave e reduktimin e shërbimeve për anëtarësinë.

 

 

Pin It