CNN: A duhet SHBA të ekstradojë Gylenin?

 

Gulen-Erdogan_3191489b

Pas trazirave të fundjavës në Turqi dhe kërkesës së Presidentit Erdogan për ekstradimin e dijetarit Fethullah Gylen, CNN sjell një analizë të hollësishme në lidhje me kushtet për realizimin ose jo të një ekstradimi. Autori i shkrimit, Danny Cevallos, analizon të gjitha mundësitë duke theksuar, se SHBA-të nuk janë të kushtëzuara, por gëzojnë liri të plotë ligjore për të vendosur në lidhje me ekstradimin.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka fajësuar për “grushtin” ushtarak të fundjavës së kaluar imamin turk 75-vjeçar Fethullah Gylen, i cili jeton i veçuar në mërgim në Sejlorsburg, Pensilvani.

Erdogan i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës të arrestojnë ose të kthejnë Gylenin në Turqi, duke e ekstraduar. Së fundmi, këtë kërkesë Erdogan e ka paraqitur edhe në formë të shkruar.

Ekstradimi është procesi përmes të cilit personi i akuzuar ose dënuar për një krim sipas ligjit të një vendi, gjendet në një vend tjetër dhe kthehet për gjykim dhe ndëshkim.

Përgjithësisht në SHBA, ekstradimi mund të bëhet vetëm në përputhje me një marrëveshje. Vendimi për të ekstraduar ose jo dikë, tradicionalisht bazohet në një analizë të përbërë nga tre pjesë: Së pari, vepra duhet të jetë një “akt i ekstradueshëm”. Së dyti, duhet të ketë “kriminalitet të dyfishtë”. Së treti, shteti kërkues duhet të pajtohet me një parim të quajtur “specialiteti”.

Aktet e ekstradueshme

Ka dy mënyra se si shtetet vendosin nëse një rast është i ekstradueshëm. Një marrëveshje – si ajo mes SHBA dhe Turqisë – mund të specifikojë aktet e ekstradueshme, si vrasje e planifikuar ose vrasje pa paramendim, në një listë. Ndryshe, mund të renditen veprat e ekstradueshme duke iu referuar ashpërsisë së ndëshkimit.

Kësisoj krimet e pretenduara nga Turqia do të duhet të jenë ” të ekstradueshme” sipas traktatit SHBA-Turqi, i cili parashikon akte specifike të ekstradueshme. Tradhtia – në kërkesën e Erdoganit për ekstradimin e Gylenit – nuk është pjesë e listës. Kjo mangësi nuk e përjashton automatikisht ekstradimin, i cili mund të bëhet edhe për vepra të dënueshme nga të dy shtetet me më shumë se një vit heqje lirie, pra sipas kohëzgjatjes së dënimit.

Kriminalitet i dyfishtë

Kjo nënkupton që vepra e kryer duhet të jetë ilegale për të dy vendet. Edhe njëherë këtu do të analizohen krimet për të cilat Turqia pretendon se Gylen duhet të japë llogari. Në rast se Presidenti tejet Internet-urrejtës pretendon se kritikimi i qeverisë në mediat sociale është një krim, kjo nuk ka gjasa të përmbushë kriminalitet të dyfishtë. Ligjërata e pahijshme ndaj qeverisë në Twitter jo vetëm që është e ligjshme në SHBA, por është edhe një mënyrë për të kaluar kohën.

Nga ana tjetër presidenti turk mund të pretendojë thjesht krimet e para-aprovuara edhe në shtojcën e marrëveshjes.

Specialiteti

Kërkesa e “specialitetit” mund të riemërohet pak më gjatë por më përshkruese, si “Mos na gënjeni në lidhje me shkakun për të cilin do e gjykoni këtë njeri, që të na mashtroni t’ua kthejmë”. Ky parim siguron shtetin që dorëzon të pandehurin, se i ekstraduari do të gjykohet vetëm për krimet për të cilat është bërë ekstradimi dhe për asnjë tjetër.

Nëse vendi që merr kërkesën për ekstradim dyshon, se vendi kërkues do të bëjë një ndryshim tek akuzat, ai mund të refuzojë ekstradimin.

Ky rregull është projektuar për të mbrojtur të paditurin, por edhe vendin që merr kërkesën – në këtë rast, Shtetet e Bashkuara, nga të dukurit ‘sylesh’. Asnjë shtet nuk dëshiron të dalë i mashtruar në dorëzimin e dikujt, që në të vërtetë meritonte të mbrohej.

Kjo do të thotë që nëse Turqia i plotëson këto tre kritere, SHBA duhet ta ekstradojë Gylenin?

JO domosdoshmërisht! Gjithnjë ka përjashtime nga rregullat. “Veprat penale politike” përfshihen në kategorinë e krimeve që për arsye të ndryshme përjashtohen nga ekstradimi. Për shkak të një sërë bindjesh të ndryshme këto krime trajtohen ndryshe nga të tjerat. Së pari, njerëzit kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitet politik për të nxitur ndryshime politike, që është e ligjshme.

Përveç kësaj ekziston dyshimi që një i ekstraduar mund të gjykohet padrejtësisht për shkak të bindjeve të tij politike.

Së fundmi, ekziston një nocion i cili thotë se qeveritë nuk duhet të ndërhyjnë në politikat e shteteve të tjera, gjë e cila lë vend për interpretim.

Pin It