Emigracioni masiv ka ndikuar negativisht ekonominë shqiptare më shumë se të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore. Sipas grafikut të publikuar të mërkurën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar “Emigracioni në Europën Lindore ka ngadalësuar ritmet e kapjes së Perëndimit”.
Raporti tregon se mesatarja e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për periudhën 1995-2012 është 7%. FMN thotë se nëse nuk do të kishte patur emigracion kjo rritje do të kishte qenë 9%, pra 2% më shumë. Ndërsa në shtetet e tjera humbja e shkaktuar nga emigracioni është më pak se 1%.
Studimi tregon se largimi masiv nga vendi i origjinës i të rinjve dhe individëve të specializuar në fusha të ndryshme çon në uljen e investimeve, konsumit dhe numrit të profesionistëve. Të gjitha këto çojnë në ngadalësim si të ekonomisë, ashtu edhe të të ardhurave për frymë.
Gjithashtu largimi i të rinjve përshpejton plakjen e popullsisë, duke rritur shpenzimet për pensione, ndërsa punësimi është i ulët. Nga ana tjetër migrimi ka ndihmuar rritjen ekonomike të vendeve europiane pritëse.
Lëvizja e lirë e njerëzve është e nevojshme për një integrim më të mirë ekonomik, por lëvizja e njëanshme e tyre me kalimin e kohës shoqërohet me pasoja negative për vendet e braktisura. Studimi tregon se sa më pak efektive qeveria e vendit të origjinës (sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit), as më të larta janë shanset që të rinjtë dhe të arsimuarit të duan të largohen drejt vendeve me mundësi më të mira jetese dhe punësimi.