Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mbështet realizimin e reformës në drejtësi dhe fton politikanët të marrin vendimin e duhur në të mirë të qytetarëve dhe vendit. Në deklaratën e KMSH-së thuhet se ky institucion përkrah çdo nismë, e cila është në interes të shoqërisë shqiptare dhe zhvillimit kombëtar.
Më poshtë po japim deklaratën e plotë të KMSH-së:
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit të punimeve për reformën në drejtësi.
Duke parë rëndësinë e kësaj reforme, KMSH shpreson që Kuvendi i Shqipërisë do të reagojë maturisht dhe do bëjë zgjedhjen më të mirë të mundshme, e cila do të shërbejë në të mirë të qytetarëve dhe politikave të Republikës së Shqipërisë.
I bëjmë thirrje të gjithë klasës politike dhe grupeve të interesit të gjejnë rrugën e përbashkët dhe të bien në konsensus për reformën në drejtësi, duke marrë parasysh interesin kombëtar dhe mbarëshoqëror.
Ne jemi përkrah çdo nisme e cila i shërbën shoqërisë shqiptare dhe që sjell zhvillim dhe prosperitet në vendin tonë.”