Dardha, fshati turistik i traditës dhe kulturës

35_big

20 kilometra në juglindje të Korçës, në një lartësi gjeografike impresionuese mbi 1300 m, që vetvetiu e çon përfytyrimin tek dimri i gjatë me dëborë, te pranverat e ndezura nga blerimi, te verat e puhizave që vijnë nga pyjet, te vjeshta me palete piktorike prej ylberi, ndodhet ky margaritar

Si fshat turistik Dardha ka qenë i përmendur dhe i preferuar shumë kohë më parë, gjë që e vërtetojnë edhe shumë dokumente e botime të kohës. Përveçse destinacion i mirëfilltë turistik, Dardha rrezaton edhe një kulturë intelektuale e popullore që e bën atë të gëzojë traditë të pasur në vlera. Dardha si shumë fshatra të tjerë të juglindjes së Shqipërisë, ka shtëpitë se saj karakteristike të ndërtuara me pllaka guri, rrugicat me kalldrëm, portat e zbukuruara me motive artistike e oborret plot me lule. Në Dardhë dikur ndodheshin njëqind burime të kthyera në çezma të bukura, ndërtuar nga mjeshtra të ndryshëm, që udhëtarët të freskoheshin e të shuanin etjen. Akoma edhe sot disa prej këtyre burimeve ndodhen nëpër rrugët e fshatit.

Mikpritja e banorëve të Dardhës është e përmendur edhe shumë larg kufijve të saj, duke filluar që nga përshëndetja më e thjeshtë që u drejtohet të gjithëve, e deri tek gatimet e mrekullueshme të zonës, që mahnisin çdo vizitor. Të gjitha stinët janë të bukura në Dardhë, por pranvera është një festë e vërtetë pasi gjelbërimi dhe lulet që Dardha i ka me shumicë, mbulojnë rrugicat e kalldrëmta dhe muret e shtëpive të bukura. Të jetosh në Dardhë mund të konsiderohet një bekim, siç pohojnë banorët e zonës, por edhe ta vizitosh Dardhën, është një kënaqësi e vërtetë, që duhet provuar të paktën një herë në jetë.
Turistët që vijnë në Dardhë, mahniten nga rregullsia e planimetrisë së shtëpive, arkitektura interesante, pastërtia shembullore nëpër rrugët me kalldrëm, që në shumicën e kohës, janë të mbushura edhe me një shtresë bari.

Pa dyshim që karakteristikë e kuzhinës dardhare është lakrori me dy petë. Gjithashtu, ju duhet të provoni patjetër edhe pjata të tjera të amvisave të Dardhës, pa lënë mënjanë gatimet e tjera të zonës së Korçës, si oshmaret, kërnackat, mishin e pjekur të zonës etj. Por edhe produktet e zgarës, duhen provuar, ato sidomos marrin shije tjetër, nëse i konsumoni gjatë një pikniku në natyrë.

Dimri është në prag dhe të gjithë ata që duan të shkojnë për ski në Dardhë, mund të pajisen me informacion dhe me instruktorë, duke pyetur për ta në çdo shtëpi fshati. Pista e skive është në funksion të plotë, dhe është sot një nga pikat më tërheqëse dimërore të fshatit.

korce-2

Nga Flora Xhemani

Pin It