Debati për medikamentet tek pediatria, prindërit ankohen për mungesë ilaçesh

pillen-handvoll

Prindërit e fëmijëve të sëmurë me leuçemi protestuan të mërkurën para spitalit të pediatrisë në QSUT për mungesën e medikamenteve. Sipas tyre në spital mungojnë ilaçet e nevojshme për kurimin e fëmijëve, ndërsa sigurimi i tyre në mënyrë private kushton shumë.

Një nga protestueset thotë se nipi i saj 2-vjeçar ka dy javë pa marrë kurën pasi në shërbimin e Onko-Hematologjisë në QSUT mungon medikamenti kryesor “Asparaginaze”. Ajo thotë se ky ilaç në farmacitë private kushton 750 euro paketa dhe nuk shitet i ndarë në doza, duke e bërë të papërballueshme blerjen nga ana e familjes së fëmijës.

Ndërsa prindërit ankohen se mungesa e ilaçeve vijon prej disa muajsh, drejtuesit e QSUT-së nga ana e tyre pretendojnë se kriza e ilaçeve në spitale ka marrë fund.

“Ndoshta prej 2-3 javësh kemi një furnizim shumë të mirë me medikamentet, thuajse janë të gjitha. Madje citostatikët, ato që kushtojnë më shumë e që janë preokupimi ynë i vazhdueshëm, tashmë i kemi”, – shprehet shefja e shërbimit të Onko-Hematologjisë dduke shtuar se në pavijonin e pedriatisë ndodhen pothuajse të gjitha medikamentet e nevojshme.

Mospërputhjet në lidhje me këtë cështje shumë të rëndësishme vijojnë, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka ende ndonjë reagim zyrtar në lidhje me situatën.

Pin It