Debati presidencial në SHBA, rekord i ri shikuesish

gettyimages-610602062

Debati presidencial mes Hillary Clinton dhe Donald Trump ka shënuar një rekord të ri shikuesish.

Rreth 84 milionë njerëz në televizonet amerikane, kanë ndjekur debatin presidencial duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur 36 vjet më parë, ku debati mes Jimmy Carter dhe Ronald Reagan në vitin 1980 tërhoqi 80.6 milionë teleshikues.
Ekspertët thonë se shifra prej 84 milionë që ndoqën përballjen mes Clinton dhe Trump është llogaritur në bazë të 13 kanaleve që e transmetuan debatin drejtpërdrejtë dhe kjo do të thotë se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë. Miliona të tjerë mendohet që e kanë ndjekur debatin në të gjithë botën në internet, lokale apo ambiente publike.

Dy kandidatët presidencialë do të zhvillojnë edhe dy debate të tjera më 9 dhe 19 tetor, para zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Në debatin e dytë, Clinton dhe Trump do të përpiqen të mposhtin konkurrencën sportive për të tërhequr sa më shumë teleshikues, pasi debati zhvillohet në të njëjtën orë me ndeshjen e futbollit amerikan mes Green Bay Packers dhe Neë York Giants.

Sondazhet e zhvilluara pas debatit me numra të vegjël të anketuarish ishin të ndarë se kush e fitoi përballjen e parë dhe nuk krijuan një ide të saktë. Por, analistët mendojnë se sondazhe më të gjera dhe sigurisht më rigoroze që priten në ditët në vazhdim, do të krijojnë një panoramë më të qartë të situatës.

Pas debatit, Clinton deklaroi se Trump më shumë gjënjen sesa flet, ndërsa miliarderi tha se do të jetë më i ashpër ndaj ish-Zonjës së Parë, ndaj së cilës, sipas tij, ishte kursyer.

Sidoqoftë, kjo premton dy debate të tjera më të nxehta, ndërsa kandidatët luftojnë për çdo votë të mundshme që mund t’i çojë në Shtëpinë e Bardhë.
 

Pin It