Destinacion: Gjirokastra

maxresdefault

Gjirokastra është qyteti më i rëndësishëm i një krahine shumë të larmishme në Shqipëri, e pasur me lumenj, liqene, rajone malore e deri te monumentet antike. Sigurisht që ka ndryshuar me kalimin e viteve, tashmë ai ndahet fare qartë në dy pjesë: e vjetra në shpatin e malit dhe e reja poshtë në luginë, porse magjia që vjen nga shtëpitë e vjetra dhe kështjella nuk konkurohet nga asgjë tjetër.

Gjirokastra është një nga vendet më tërheqëse për turistët në Shqipëri. Kalaja mbresëlënëse plot histori e mistere, pazari i vjetër i shekullit XVII, shtëpitë e gurta me arkitekturën e rrallë, lagjet e vjetra karakteristike, teqetë dhe kishat, historitë e fshehura në çdo skutë të qytetit, muzeumet dhe monumentet, përbëjnë kontekstin shumëshekullor e tepër origjinal të një mënyre jetese dhe organizimi shoqëror të ruajtur deri në ditët e sotme. Këto vlera bënë që, më 29 korrik 2005, Gjirokastra të shpallet monument i trashgimisë kulturore botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Gjirokastra mbetet qendër e një jete të gjallë kulturore, dhe po përjeton një zhvillim të ekuilibruar të turizmit; Gjirokastra njihet për traditat e saj, ku në veçanti spikasin: pasuria e veshjeve popullore, muzika, punimi i drurit e i gurit, bulmeti. Veshjet Popullore Nga më të bukurat në Shqipëri, të cilat përmbajnë shumë zbukurime. Vallet Karakteristike janë në formë vargu, të kënduara dhe të shoqëruara me saze. Gatimet gjirokastrite janë të shumëllojshme dhe shumë të shijshme. Ndër to përmendim: pashaqofte, lloj supe me qofte të vogla, qifqi i cili është një lloj gatimi me qofte të bëra me oriz. Shumë i famshëm dhe tepër i shijshëm është djathi i Gjirokastrës.

Kalaja e Gjirokastrës është një fortesë e madhe e vendosur në faqen e kodrës përmbi qytet. Ajo është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të XIII-të. Për ta vizituar të gjithë sipërfaqen e saj, nëse jeni të ngeshëm, mund të harxhoni 1.5 deri në 2 orë. Rruga që do t’ju çojë në kala nis nga “Qafa e Pazarit”, në pjesën e vjetër, dhe ngjitet ngadalë përgjatë një kalldrëmi me disa dredha. Është një rrugë shumë e këndshme, e cila do t’ju ofrojë një pamje të mrekullueshme të qytetit.

Muzeu Kombëtar i Armëve u inagurua më1971, me rastin e 25 vjetorit të Çlirimit të vendit. Në të do të keni mundësi të shihni një arsenal të plotë të armëve të përdorura në luftërat e shumta të këtyre anëve që nga periudhat më të herëshme e deri në ditët tona. Muzeu Kombëtar i Armëve ndodhet brenda mureve të kalasë.

Pin It