Koncesionet, shteti rimerr në pronësi dy fusha naftëmbajtëse

Bankers-photo-4-2

Shteti shqiptar rimerr në zotërim dy nga vendburimet më të rëndësishme të naftës në vend. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, ka autorizuar kompaninë shtetërore Albpetrol që të rimarrë në pronësi shtetërore vendburimet e Gorisht Koculit dhe të Çakran Mollajt. Ky vendim është marrë për shkak se kompania koncesionare Transatlantic Albania nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale, duke krijuar 30 milionë dollarë borxhe ndaj shtetit. Vendburimet e naftës Gorisht Koculit dhe Çakran Mollajt u privatizuan në 2007­n, kur qeveria e atëhershme ia kaloi të dyja kompanisë Stream Oil. Kjo e fundit shfrytëzoi naftën dhe, pasi krijoi një borxh 35 milionë dollarë ndaj shtetit, u shit tek kompania Transatlantic. Pas këtij transaksioni, dy vendburimet, që dikur kanë prodhuar deri në 1.6 milion tonë naftë në vit së bashku, kaluan nëpër një varg manovrash financiare për të shmangur pagesën e borxheve ndaj shtetit. Një zinxhir që duket se tani po merr fund me rishtetëzimin.

Albpetrol njoftoi se pas marrjes në dorëzim do t’i shfrytëzojë vetë të dyja vendburimet dhe fitimin e gjeneruar nga shitja e naftës do ta derdhë në buxhetin e shtetit. Ky vendim i ministrit Gjiknuri është marrë edhe për arsye se dy vendburimet në fjalë, për efekt të detyrimeve ndaj të tretëve apo mospagesës së faturave të energjisë elektrike, kanë qenë të ndalura prej më se një muaji, duke sjellë përveç humbjeve ekonomike edhe një rrezik potencial për ambientin dhe jetën e njerëzve në afërsi të tyre. Ky përbën dështimin e parë zyrtar të një koncesioni në sektorin e naftës në Shqipëri, ndërkohë që edhe për marrëveshjet e tjera rezultatet kanë qenë kontroverse. Edhe pse thuajse e gjithë industria e naftës në vend është në duart e privatëve, e vetmja kompani që paguan tatim fitimi nga shfrytëzimi i saj është Albpetrol, kompania e vetme publike, ndërsa të gjithë koncesionarët privatë deklarohen çdo vit pa fitim, duke qenë se justifikohen me investime gjigande. Dhe, duke qenë se këto investime fshihen nën tokë, rezultati është ai, që, edhe pse Shqipëria ka fushën më të madhe naftëmbajtëse “on shore” (në tokë) në Evropë që ende është aktive, ajo nuk përfiton nga shfrytëzimi i kësaj pasurie, që ka rritur mirëqenien për shumë popuj të tjerë anembanë botës.

Në ditët në vijim pritet të fillojë edhe procedura për marrjen në dorëzim të vendburimit Cakran­Mollaj. Pjesa kryesore e detyrimit ndaj shtetit është krijuar gjatë viteve 2008­2013. Stream Oil ishte denoncuar më parë nga ish­opozita e majtë si e lidhur me qeverinë e atëhershme të demokratëve, nëpërmjet bashkëjetuesit të deputetes Albana Vokshi të PD, ortak në këtë kompani. Stream Oil u zbulua se kishte abuzuar me 50 mijë tonë naftë, 10 milionë metër kub gaz, si dhe shumë shifra të tjera faturash dhe shërbime të tjera të përfituara nga kjo kompani, të cilat Stream duhet t’i kishte derdhur në Albpetrol, por prej vitesh nuk e kishte bërë. Sipas përllogaritjeve, vlera totale e dëmit shkonte nga 30 deri në 35 milionë dollarë, para të cilat duhet të kishin përfunduar në arkën publike, por të cilave kompania u është shmangur, në kundërshtim me ligjin.

Procedura për prishjen e marrëveshjes hidrokarbure me shoqërinë TransAtlantik Albania, që e belu licensën nga Stream Oil, ka nisur rreth një vit më parë. Më datë 10.02.2016 i është dërguar shkresë kompanisë duke e informuar që ka shkelur marrëveshjen, duke mos realizuar investimet e kërkuara, si dhe ka krijuar një borxh shumë të madh ndaj shtetit shqiptar. Përmes kësaj shkrese i është kërkuar që të korrigjojë në mënyrë thelbësore shkeljet materiale brenda gjashtë muajve për detyrimet financiare që i ka akumuluar kundrejt Albpetrol sh.a., për vendburimet Cakran­Mollaj dhe Gorisht­Kocul. Pas përfundimit të afatit 6­mujor të përcaktuar në aktmarrëveshje, kompania nuk kreu korrigjimet përkatëse dhe as nuk u angazhua që të propozojë një plan me afate të përcaktuara për t’i korrigjuar këto shkelje. Për pasojë, Albpetrol sh.a., dërgoi shkresë për mbylljen e marrëveshjes hidrokarbure për të dy vendburimet. Marrëveshja Hidrokarbure parashikon që prishja të bëhet efektive pas 120 ditëve, afat i cili është përmbushur gjatë muajit janar 2017.

Ditën e djeshme, në orën 12:00, grupi i punës për marrjen në dorëzim të vendburimeve filloi procedurën e marrjes në dorëzim të puseve në të dy vendburimet. Të gjithë puset kanë qenë më parë në pronësi të shoqërisë Albpetrol, pasi shoqëria TransAtlantik nuk ka shpuar asnjë pus të ri gjatë 10 viteve të kohëzgjatjes së kësaj kontrate. Gjithashtu, nën mbikëqyrjen dhe bashkëpunimin e doganës së Vlorës u krye vulosja e depove (magazina fiskale). Në vendburim u gjet një sasi e vogël nafte bruto, e cila do të kalojë në pronësi të Albpetrol për efekt të uljes së vlerës së detyrimit.

Pin It