“Different Trains”, tinguj violine në Muzeun Historik Kombëtar

Tingujt e vilonës shoqëruan mbrëmjen e djeshme publikun kryeqytetas.

Festivali Different Trains, këtë vit solli një program të zgjedhur të klasikëve vjenezë Joseph Haydn dhe Franz Peter Schubert në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Melodia e tingujve të violinës, violës dhe violinçelit erdhën në mënyrë të përkryer nga artistët e njohur Arben Spahiu, Dorian Xhoxhi, Ivan Vukçeviç dhe Vlorent Xhafaj.

Artistët e njohur shqiptar që luajnë në skenat e mëdha botërore, emocionuan publikun e pranishëm përreth një orë duke e kthyer sallën në një skenë botërore të muzikës klasike.

Vlorent Xhafaj pas përfundimit të koncertit në një prononcim për ATSH-ën u shpreh se ”hera e fundit që performuam në Shqipëri ishte në vitin 2013 dhe u kthyem përsëri me formacionin e kuarteteve të harqeve të cilin e duam shumë”.

”Programi është një përzgjedhje natyrale janë dy vepra mjaft të luajtura nga reportori i kuartetit të harqeve, një kuartetet mjaft i njohur i Haydn dhe Schubert. Ky është koncerti jonë i deritanishëm por do të ketë shfaqje të tjera në pranverë nga muaji maj.Kjo është hera jonë e parë që performojmë në Muzeun Historik Kombëtar dhe është një kënaqësi pasi është një nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore”, tha mes të tjerash Xhafaj.

Gjithashtu artisti i njohur Arben Spahiu u shpreh se, ”jam shumë i gëzuar që performova këtu.Me Vlorentin është hera dytë e imja që performoj dhe më pëlqen shumë pasi është kthyer tashmë në traditë dhe në si muzikant presim që të organizohen sa më shumë festivale të tilla”.

Dorian Xhoxhi i cili ishte dhe më i riu nga artistët që performuan pas koncertit tha se ”publiku është shumë i dashur dhe vij gjithmonë me shumë kënaqësi për të performuar në Tiranë dhe shpresoj që në të ardhmen të vij sa më rregullisht”.

Xhoxhi u shpreh se ”ky festival ishte një kombinim perfekt midis personave dhe muzikantëve e ku në këtë bazë janë zgjedhur dhe veprat.Ky program u prit shumë mirë dhe nga publiku”.

Festivali “Different Trains“, është tashmë një event i shkruar në traditë, pasi ju jep mundësinë artistëve që jetojnë jashtë Shqipërisë të shprehen në skenën e vendit të tyre.

Fryma e bashkëpunimit, respekti ndaj kolegëve dhe veprës artistike të interpretuar, miqësia dhe cilësitë artistike e bëjnë këtë ngjarje muzikore të veçantë për publikun e vendit, artistët dhe artedashësit.

“Different Trains” ka mbledhur në vite artistë brilant shqiptarë të njohur në skenat e botës dhe artistë të huaj me reputacion ndërkombëtar në skenën shqiptare për të interpretuar së bashku. /ATA/

Pin It