Dimri po vjen, ja disa nga destinacionet dimërore në Shqipëri

destinacione

1.Dardha dhe Voskopoja

Dardha dhe Voskopoja janë dy prej fshatrave më të bukur dimërorë ku çdokush e çon mendjen vetvetiu kur mendon për dëborën. Gërshetuar me traditën, historinë dhe bukuritë që edhe dimrit mund të shijohen shumë, me mikpritjen karakteristike, Dardha dhe Voskopoja ofrojnë gjithashtu kuzhinën e mrekullueshme e të veçantë, zahiretë e pafundme të dimrit dhe byrekët e mrekullueshëm, gatuar nga amvisat dardhare e voskopojare. Por këto dy fshatra fare pranë Korçës, mund t’ju ofrojnë gjithashtu edhe kënaqësinë e skive në pista ndoshta jo fort të pajisura me komoditetin e resorteve të mëdha por që gjithsesi do t’ju falin kënaqësi. Pista e Skive  në Dardhë është bërë shumë e frekuentuar tashmë që kur aty është vendosur teleferiku i vogël që ju ndihmon për të ushtruar më mirë kënaqësinë e skive.

2. Gërmenj-Sheleguri në Leskovik,

Por në zonën e Korçës, edhe Gërmenj-Sheleguri në Leskovik, është një vend i qetë e i bukur ku panorama dimërore të fal kënaqësi pa fund. Një shëtitje me kuaj, apo një bisedë me miqtë ndanë zjarrit të oxhakut, shkon shumë bukur kur është e shoqëruar me nje darkë të shijshme me zahire dimri.

3.Dajti

Nëse jeni për një pasdite të shkurtër apo një fundjavë komode, Dajti është  destinacioni më i afërt me kryeqytetin. Me një shëtitje bardhoshe me teleferik, një lojë në dëborë, një shëtitje me kuaj apo edhe thjesht ecje përgjatë shtigjeve të Dajtit, do ta bëjnë ditën tuaj më të bukur e më të shëndetshme.

4.Malësitë e Elbasanit

Malësitë e Elbasanit ruajnë në gjirin e tyre mjaft fshatra që kohët e fundit po zhvillojnë më së miri ofertën e tyre dimërore. Zona e Shpatit, me qendër komunën Gjinar, pret turistë edhe në stinën e dimrit, duke u ofruar atyre më të mirën e mikpritjes, kuzhinës dhe sidomos natyrës së mrekullueshme që rrethon zonën. Edhe Stebleva, qendra e parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë, është një fshat malor që ju pret të shijoni bardhësinë e dëboorës.

5.Parku kombëtar i Llogorasë

Parku kombëtar i Llogorasë, të cilit aq shumë ia shijojmë freksinë edhe verës, bëhet më i bukur e më i magjishëm dimrit, kur pishat shekullore mbulohen me petkun e bardhë. Ngrohtësia e shtëpive alpine, mishi qengjit në hell, lojrat e ndryshme në dëborë por sidomos pamja e sorkadheve aq miqësore, do të bënte të lumtur çdo fëmijë që do të shkonte për fundjavë në Llogora. Për ata që duan të guxojnë pak më shumë, Majat e malit të Çikës, janë një sfidë për ngjitje, një nismë që do t’ju falë ndër të tjera edhe kënaqësinë e shijimit të panoramës mahnitëse të Jonit.

6.Shkodra

Shkodra përfshin një numër të madh destinacionesh dimërore ndër të cilat mund të shkëpusim dy të tilla që janë të përshtatshme për familjarët.Në Razëm të Shkodrës, mund gjithashtu të bëni ski, dhe pjesën e pushimit ta shijoni në zonë, duke shfrytëzuar strukturat pritëse atje, që fillojnë prej më luksozeve e deri tek shtëpitë pritëse. Maja e Veleçikut, është një pistë e mirë natyrore për të bërë ski, shëtitje, ngjitje apo çdo lloj sporti tjetër që mund të ushtrohet në dëborë.

7. Puka

Puka, një qytet i këndshëm rrethuar me pyje, është plotësisht e arritshme në dimër, për të kaluar aty një fundjavë në shoqërinë e familjes apo miqve, duke gjetur mikpritje në hotele apo edhe në shtëpitë pritëse të zonës. Pista e skive ka tashmë vite që funksionon, duke ju dhuruar çaste të vërteta kënaqësie. Por nëse keni vendosur të hidheni drejt një aventure me sasi më të mëdha adrenaline sesa thjesht një lojë në dëborë apo ski të kujdesshme në pista të ndërtuara, ju mund të viheni në kërkim të kësaj aventure në të gjitha malet e Shqipërisë.

Nga Flora Xhemani Baba

Pin It