DocuTIFF, filmat më të mirë dokumentarë vijnë në Tiranë

DOCU_TIFF-calendar.Al_

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar DocuTIFF do të mbajë edicionin e dytë në datat 1-8 qershor në Tiranë. DocuTIFF do të bashkojë emrat më të njohur të kinemasë rrëfimtare në një konkurs që synon promovimin dhe zhvillimin e zhanrit të filmit dokumentar.

Sipas drejtorit të DocuTIFF, Agron Domi, qëllimi i këtij festivali është inkurajimi i prodhimit të filmit dokumentar në Shqipëri dhe ofrimi i më shumë shanseve për kineastët shqiptarë për të gjetur bashkëpunim duke ndërtuar kontakte reciproke me kolegët e tyre në rajonin tonë dhe më gjerë.

Në festival do të marrin pjesë 180 filma, 100 në konkurrim dhe 80 në prezantim, të përzgjedhur nga 2000 aplikime që ka pasur nga 102 vende të botës. Domi thotë se janë përzgjedhur filma të rinj por edhe filma të vlerësuar ndërkombëtarisht apo të nominuar e me çmime në Oscar, Golden Globe etj. Një hapësirë e veçantë do t’i lihet edhe filmit shqip nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe kudo ku ata ndodhen.

Filmat do të vlerësohen nga katër juri të përbëra nga emra të njohur të kinematografisë: juria ndërkombëtare e metrazhit të gjatë, juria ndërkombëtare e metrazhit të mesëm e të shkurtër, juria ndërkombëtare e filmit në shqip, si dhe juria e medias.

Mes filmave të këtij festivali është dhe filmi dokumentar “Qukapiku rus” i regjisorit Chad Gracia i cili është fitues i çmimit të madh të jurisë në Sundance Film Festival. Ai është një rrëfim për katastrofën bërthamore të Çernobilit . “Sonita”  është një tjetër prodhim kinematografik i vlerësuar i regjisores nga Teherani, Rokhsareh Ghaemmaghami. Filmi tregon për Sonitën, një 18-vjeçare emigrante pa dokumente afgane, e cila në mënyrë ilegale jeton në periferi të Teheranit. Ajo lufton për të jetuar ëndrrat kundër vullnetit të familjes qe donte ta shiste me një çmim prej $ 9,000.

Festivali do të shtrihet në hapësira të ndryshme në kryeqytet duke nisur nga salla kryesore e Muzeut Historik Kombëtar, Teatri i Metropolit, COD dhe TULLA Culture Center.

 

Pin It