Doda: Deklarata e Kotzias shkel vlerat e Europës, të kërkojë ndjesë publike

mesila-doda

Deputetja Mesila Doda e cilësoi deklaratën e fundit të ministrit të Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias, si arrogante dhe të pamatur. Sipas saj kjo deklaratë ishte “mufka e radhës” e Kotzias dhe shteti grek duhet të kërkojë ndjesë publike.

Doda tha se përmendja e ushtrisë, mbrojtjes dhe pasurisë së Greqisë duke u krahasuar me Shqipërinë nga ana e ministrit grek, është një lloj kërcënimi ndaj shtetit shqiptar. Ajo theksoi se në kohën kur kemi të bëjmë me vende anëtare të NATO-s dhe BE-së është e pakuptimtë të krahasojmë forcat e shteteve specifike, sepse këto organizata veprojnë si një e tërë.

Deklarata e Mesila Dodës

Ministri i jashtëm grek Kotzias, këput mufkën e radhës…

Nuk i gjej dot dy raste, kur ministri i jashtëm Kotzias të ketë pasur deklarime koherente, të ekuilibruara e të matura. Por sot ka tejkaluar çdo sinor për një dinjitar të lartë që përfaqëson diplomacinë e një shteti anëtar të NATO-s.

Kotzias kërcënoi sot shtetin shqiptar me arrogancën e atij që ka më shumë ushtri, mbrojtje e pasuri.

Ushtarakisht, a e di ministri i Jashtëm i vendit anëtar të NATO-s se bën pjesë në të njëjtën aleancë ushtarake, ku është edhe fqinji i tij, në aleancën më të madhe ushtarake e politike? Kujt i tregon forcën e ushtrisë ky person i paekuilibruar e i papërsëritshëm në marrëzitë që lëshon?

Politikisht, a e din ministri i Jashtëm i shtetit fqinj që Europa e sotme është e bazuar mbi shtetin e së drejtës e jo mbi pasurinë e secilit shtet anëtar, sepse në atë rast Greqia do duhej të kish dalë në ankand me kohë, pasi është një shtet i falimentuar, me një borxh publik në rreth 340 miliardë euro pa interesa, që është rreth 180 % e GDP-së, ndërsa së bashku me interesat ky borxh ka tejkaluar më shumë se dyfishin e tërë ekonomisë greke së bashku me asetet e saj.
Ky klloun dinjitar, peshqesh i grekëve të rinj, do duhet të ndajë mendjen, nëse është për respektimin e konventave ndërkombëtare dhe në të njëjtën linjë me Brukselin, apo kërkon të mbrojë lavdinë e kolonel Zervës. Flet për Konventat Ndërkombëtare…bukur.

Të nisim më respektimin e Konventës për Dënimin e Krimeve të Luftës, Konventës për Dënimin e Genocidit, me respektimin e Konventës për të Drejtat e Njeriut, ku në rastin e shqiptarëve të Çamërisë janë shkelur e drejta e jetës, e drejta e pronës, parandalimi i torturës, liria e fjalës, liria e mendimit, liria e besimit, thuajse çdo nen është dhunuar dhe rezultati ishte një spastrim i plotë etnik.

Tash, duhet marrja e një pozicioni të qartë nga shteti i sotëm, ose ndjesë publike dhe kërkesë faljeje për krimet e kryera ose bashkëpunëtor publik me krimin dhe kundër vlerave të Europës. Arroganca nuk ndihmon kërkënd, veç frikacakun.

Pin It