E drejta e autorit dhe menaxhimi kolektiv sipas degëve të artit

 

“Administrimi i të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to – ndarja e eksperiencave dhe praktikave më të mira” ishte tema e workshopit e organizuar ditën e djeshme në Tiranë.   Ky workshop u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), për Drejtorinë e të Drejtës së Autorit pranë Ministrisë së Kulturës.

Mbështetja e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale për organizimin e këtij workshop-i të tillë u zhvillua në mënyrë që të ndahen praktikat më të mira me ekspertët e huaj si dhe me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të menaxhimit kolektiv sipas degëve të artit.

Në Tiranë në këtë workshop mori pjesë dhe ministria e kulturës Mirela Kumbaro dhe  ekspertë të huaj nga WIPO dhe nga Organizata Ndërkombëtare të Menaxhimit Kolektiv, si CISAC (Konfederata Ndërkombëtare e autorëve dhe kompozitorëve), SAA (Shoqata e Autorvë audiovizualë), IFRRO (Federata Ndërkombëtare e Organizatave të të Drejtave të Riprodhimit), IFPI (Federata Ndërkombëtare e Industrisë së Fonogramit), CREDIDAM (Qendra Rumune për menaxhimin e të drejtave të Interpretuesve) që zhvilluan këtë workshop dhe për të ndarë me palën shqiptare eksperiencën e tyre.

Temat kryesore që u diskutuan në këtë panel ishin: aspekte ligjore dhe strukturore të menaxhimit kolektiv; strukturat e përshtatshme – sistemi praktik dhe efikas i menaxhimit kolektiv; perspektivat kombëtare dhe rajonale mbi menaxhimin kolektiv; roli i institucioneve shtetërore në monitorimin e AAK-ve si dhe situata aktuale në Shqipëri në menaxhimin kolektiv të të drejtave.

Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro, ka qënë iniciatore e të gjitha ndryshimeve radikale të ndodhura përgjatë viteve të fundit në fushën e të drejtës së autorit, në mbrojtje të interesave legjitimë të krijuesve shqiptarë.

Aktiviteti është kërkuar nga pala shqiptare duke patur parasysh dhe hapat pozitivë që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës në kuadër të forcimit dhe të përmirësimit të administrimit kolektiv në Shqipëri. Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit (KKDA) ka miratuar metodologjinë dhe masën e tarifave të shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit në sistemin e administrimit kolektiv.

Hartimi i metodologjisë së tarifave është finalizuar me miratimin e vendimit të sportelit unik SUADA- në Administrimin kolektiv, “Për transferimin e funksionit kolektiv të mbledhjes së tarifave të shpërblimit për të gjitha kategoritë e mbajtësve të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to drejt njërës prej agjencive të administrimit kolektiv dhe për drejtimin e sportelit unik për administrimin e të drejtës së autorit”.

Procesi i hartimit të metodologjisë së tarifave i`u është referuar praktikave më të mira ekzistuese në Europë duke i vendosur ato me kuadrin ligjor të zbatueshëm, rrethanat ekonomike dhe kulturore të vendit tonë dhe qëllimi i saj është të përmirësojë situatën e marrjes së autorizimit nga mbajtësi i së drejtës, zgjerimi i përdorimit të veprave në shkallë vendi, rritja e mbledhjes dhe e shpërndarjes nga agjencitë te titullarët etj.
Prioritet i kësaj metodologjie ka qenë miratimi i tarifave të thjeshta, të kuptueshme dhe të zbatueshme nga të gjithë subjektet përdorues të pronësisë artistike. Këto tarifa nuk mund të aplikohen pa funksionimin e sportelit unik – objekt i zhvillimit dhe organizimit të këtij aktiviteti. /ATA/

 

Pin It