Diskutohet projektligji për të drejtat e autorit, ka rezerva

ymeri_4

Projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera lidhur me to vazhdon që të diskutohet në Komisionin  Parlamentar. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, shpreh rezervat e tij për këtë projektligj. Ymeri rendit disa nga pikat, me të cilat nuk është dakord si; fotokopjet e librave, kontratat mes botuesve dhe autorëve, shtypshkrimi dhe të drejtat e autorëve, ndryshimi i veprës nga autori, por edhe certifikimi i kontratave autor-botues nga ZSHDA-ja. Sipas tij, këto gabime nuk do të ishin përsëritur nëse fillimisht Ministria e Kulturës do ta kishte diskutuar projektligjin me grupet e interesit.

“Ligji për të Drejtën e Autorit është bërë dhjetë vjet më parë, por ka pasur shumë diskutime për të. Këto diskutime i kemi bërë dhe me ministritë e mëparshme të Kulturës, ato që ka qenë. Ne jemi profesionistë dhe nuk shikojmë nëse është qeveria iks apo ipsilon, për ne është Ministria e Kulturës. Këto vërejtje që i kemi bërë edhe në Zyrën e të Drejtës së Autorit na janë quajtur të drejta. Por para këtij janë bërë dhe projektligje të tjera të së drejtës së autorit, janë dhënë fonde pa fund nga Bashkimi Evropian për ta bërë sa më të mirë, por dhe tani, pas gati dhjetë vjetësh ne kemi një projektligj që ka shumë të meta. Na vjen keq që kthehemi në pikënisje.”- ka thënë Ymeri.

Pin It