Ndryshon ligji për investitorët e huaj, kritere më të forta, procedura më të thjeshta

ID-10062601

Projektligji i ri i Qeverisë shqiptare parashikon më shumë kritere për pajisjen me leje të përhershme qëndrimi të biznesmenëve të huaj që kërkojnë të investojnë në Shqipëri. Nga ana tjetër ata do ta kenë më të lehtë të transferojnë staf nga jashtë vendit.

Sipas ligjit të ri një biznesmen i huaj mund të pajiset me leje qëndrimi vetëm në rast se investon të paktën 2 milionë euro dhe krijon minimumi 100 vende të reja pune. Këto kritere janë më të vështira krahasuar me shumën një million euro dhe krijimin e 10 vendeve punë që kërkonte ligji i vjetër.

Nga ana tjetër ligji thjeshton procedurat për transferimin e punonjësve nga jashtë duke shkurtuar kohën për marrjen e lejeve të qëndrimit për ata. Gjithashtu projektligji i ri ofron mundësi për profesionistët e pavarur, personat fizikë që janë të vetëpunësuar në shtete të tjera, për të ofruar shërbimet e tyre në Shqipëri.

Po ashtu ligji heq tarifën prej 10 mijë lekësh për studentët me shtetësi të huaj por përkatësi etnike shqiptare, të cilët kryejnë studimet në Shqipëri.

Pin It