Britani, peticioni: Thirrrje për një tjetër referendum

1164047

Në Britaninë e Madhe numri i personave që duan që të mbahet një tjetër referendum, pasi janë të pakënaqur për daljen nga Bashkimi Europian, shtohet nga dita në ditë. Pas votimit të datës 23 qershor, nga mbështetësit pro qëndrimit në union ka nisur që të shpërndahet një peticion, ku i bëhet thirrje qeverisë që të mbajë edhe një referendum tjetër për të qëndruar apo jo në bllokun tani me 27 vende. Dhe aktualisht janë mbi 3 milionë persona në Mbretërinë e Bashkuar që e kanë firmosur. “Ne kemi bërë thirrje për nënshkrimin, sepse qeveria britanike duhet që të zbatojë rregullin që nëse në votim dalin 60 për qind apo më pak se aq, duke u bazuar në daljen prej 75 për qind të nevojshme, duhet që të mbahet një referendum tjetër”, ishte qëndrimi i iniciatorëve të kësaj nisme. Në fillim ishin mbështetësit e fushatës pro Brexit që donin që referendumi i dytë të mbahej. Por pas publikimit të rezultateve, tani kjo nismë ka marrë një tjetër rrjedhë. Nismëtari për kërkesën për referendum, studenti dhe aktivisti nga Universiteti De Montfort, Ëilliam Oliver Healey shkroi në profilin e tij në Facebook, se strategjia e tij ishte “vjedhur gabimisht nga persona që mbështesnin fushatën për qëndrim në BE”. Nga ana tjetër, kryeministri britanik David Cameron e përjashtoi disa herë mundësinë e mbajtjes të një referendumi tjetër. “Unë jam absolutisht i qartë se referendumi është referendum, kjo ndodh një herë në një gjeneratë, kjo është mundësi e jetës dhe rezultati përcakton fatin”, tha ai në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në maj. “Nuk mund të kemi referendume pafund, por kemi referendume”. Qeveria britanike i përgjigjet të gjitha kërkesave të cilat kanë mbi 10 mijë nënshkrime, kurse Parlamenti britanik shqyrton të gjitha kërkesat të cilat grumbullojnë mbi 100 mijë nënshkrime për debat. Të premten, deputeti laburist David Lammy gjithashtu i bëri thirrje parlamentit që të votojnë kundër vendimit të referendumit për dalje nga BE-ja. Në Britani të enjten u mbajt votimi, i cili përcaktoi marrëdhëniet e ardhshme të vendit me BE-në. Britanikët me 52 për qind të votave vendosën për dalje nga BE, kurse 48 për qind mbështetën aleancën 43 vjeçare me unionin. Ndërkohë kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon u shpreh se parlamenti skocez mund të përpiqet të bllokojë daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Britanikët votuan 52% në favor të largimit dhe 48% për qëndrim në bllokun europian. Kurse në Skoci përfundimi ishte ndryshe, pasi 62% e skocezëve u shprehën për vazhdimësinë dhe vetëm 38 për qind e dëshironin shkëputjen. Ministrja e parë, partia e së cilës ka 63 nga 129 vendet e Parlamentit, la të kuptohej se do t’iu kërkojë ligjvënësve të refuzojnë dhënien e “pëlqimit të tyre legjislativ”. “Nëse Parlamenti skocez e gjykon këtë çështje në bazën e asaj që është më e drejta për Skocinë, atëherë opsioni: ne nuk kemi ndërmend të votojmë për diçka që shkon kundër interesave të Skocisë, padyshim që do të jetë në tryezë”, tha për BBC-në, Sturgeon. Dje ajo njoftoi se së bashku me kolegët e saj do të nisin javën e ardhshme bisedimet me zyrtarët e Brukselit mbi mundësinë e qëndrimit të Skocisë në BE. Përveç mundësisë së mbajtjes së një referendumi për pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në Skoci, edhe në Irlandën e Veriut pas rezultatit janë zgjuar qarqet radikale, të cilat po ashtu duan referendum për shkëputjen nga Britania dhe bashkimin me Irlandën dhe qëndrimin në bllokun me 27 vende. Ndërsa presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, i kërkoi Britanisë së Madhe që të martën zyrtarisht të paraqesë kërkesën për largim nga BE-ja. “Tani ne presim që qeveria britanike të parashtrojë kërkesën. Samiti i BE-së të martën është momenti i duhur për këtë”, u shpreh Schulz për “Bild am Sonntag”. Zyrtarët europianë mendojnë se nëse Mbretëria e Bashkuar largohet shpejt, shmanget pasiguria e dëmshme për të gjithë dhe ruhet integriteti i Unionit. Bisedimet e Britanisë për largimin nga BE, do t’i lihen në dorë kryeministrit të ri të vendit, që do të zgjidhet në muajin tetor.

 

Pin It