Kreditë e buta, kriteret për të përfituar

admn

Rreth 1000 qytetarë të Tiranës do të mund të përfitojnë nga programi për kreditë e buta, pas miratimit të tij në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak. Këta qytetarë, të cilët kanë aplikuar për kredi për të blerë banesa të reja ose për të zgjeruar hapësirën e tyre të banimit, duhet të plotësojnë disa kritere.

Aplikantët duhet të kenë disa të ardhura, pra nuk duhet të jenë nga kategoria në vështirësi sociale. Por të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme për të siguruar hapësirën e duhur për të banuar.

Sasia e kredisë që aplikantët do të marrin do të përcaktohet nga sasia e të ardhurave dhe numri i pjesëtarëve në familje. Të ardhurat do të jenë përcaktuese edhe për sipërfaqen që familjet do të marrin.

Por kriteret që duhen plotësuar nuk janë të lehta. Një familje 1-3 persona pretendon të blejë një gazoniere 50 metra katrorë, duhet të ketë limitet e të ardhurave nga 39 mijë lekë të reja deri në 60 mijë lekë të reja.

“Në këtë program parashikojmë ata që duan të blejnë shtëpinë e parë ose kategoria që jetojnë në një sipërfaqe që janë nën vlerat që lejohet për të banuar. Por kryesisht është ajo kategori që kanë një të ardhur, nuk flasim për kategori që janë në vështirësi sociale që kanë nevojë për programe të tjera sociale. Pra kanë një të ardhur por me atë të ardhur nuk mbulon dot të shkojë në bankat e nivelit të dytë dhe të marrë një kredi me interesat që ka sot tregu”, tha Brunilda Paskali, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës.

Sipas saj në vitet 2014-2016 ka pasuar 1800 kërkesa për programe për strehimin.

Ndër dokumentet që aplikantët duhet të dorëzojnë janë certifikata, të ardhurat që ato kanë, vërtetim që kanë persona me aftësi të kufizuar në familje, nëse kanë persona që marrin ndihmë ekonomike, vërtetim që nuk posedojnë një shtëpi.

Pin It