Ndryshon mënyra e llogaritjes së pensionit

zyre-pensionesh-905x395

Me ndryshimet e bëra në legjislacionin shqiptar për sigurimet shoqërore, ka ndryshuar edhe mënyra e llogaritjes së pensionit, ku si bazë për llogaritjen e tij, nuk është më pensioni bazë (minimal), por pensioni social. Në kushtet e mungesës së një marrëveshjeje dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore, me të cilën do të ishte mundësia për njohjen dhe bashkimn e periudhave kontributive, sidomos në dy shtetet fqinjë, Itali dhe Greqi ku numri i emigrantëve shqiptarë është shumë i madh, secili nga këto shtete vepron sipas legjislacionit respektiv. Duke patur parasysh ndryshimet ligjore, një pjesë e madhe e emigrantëve dhe qytetarëve që kanë plotësuar moshën për pension, apo janë në prag të kësaj moshe, nuk e kanë të qartë se cilat janë kushtet për përfitimin e pensionit në Shqipëri dhe cila është baza e mënyra e llogaritjes së pensionit.
Për sa i përket pensionit të pleqërisë në Shqipëri, sipas legjislacionit shqiptar, ai përcaktohet në këtë mënyrë: “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension kur: a) kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas ligjit në fuqi dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurime. Pra, për të lindur e drejta për pension pleqërie, kërkohen dy kushte, që janë vjetërsia kontributive jo me pak se 15 vite dhe mosha. Për vitin 2016 mosha e daljes në pension, për gratë është 60 vite e 4 muaj (rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056 që arrin në 67 vjeç) dhe për burrat, 65 vjeç (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056), ndërsa vjetërsia e plotë kontributive për të dy gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit për të arritur me 40 vite në vitin 2029. Për llogaritjen e pensionit të pleqërisë sipas ligjit, bëhet përcaktimi si më poshtë: 1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. 2. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. 3. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve.  4. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social”. Për ta pasur sa më të qartë këtë përllogaritje, është e nevojshme të dihet se çfarë përfaqëson pensioni social.

 

 

Pin It