Një kostum me motive karakteristike të qytetit të Prizrenit (vendi i origjinës së nënës së Nënë Terezës), që ajo e mbante në moshën 16-17 vjeçare u ekspozua sot për herë të parë për publikun në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Ekspozita e titulluar “Trashëgimi kulturore nga vendi i Nënë Terezës” u çel nga bashkia e Tiranës dhe Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë.
Kostumi përbëhet nga këmisha, copë e mëndafshtë e endur nga gratë e Prizrenit, jeleku i qëndisur nga mjeshtra qëndistarë të ketij qyteti, shalli dhe dimitet.
Ky kostum ruhet në Fondet Etnografike të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.
Në ekspozitë u prezantuan edhe 54 objekte të tjera, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore nga dy qendrat më të zhvilluara politike ekonomike- tregtare dhe kulturore shqiptare të shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, respektivisht Shkodrës (vendlindja e babait të Nënë Terezës) dhe Prizrenit (vendlindja e nënës së Nënë Terezës).
Njëkohësisht nëpërmjet objekteve që do të ekspozohen, do të paraqiten aftësitë teknike- artistike te mjeshtrive tradicionale qytetare të zhvilluara ne keto qendra (Shkodra dhe Prizreni).
Midis tyre spikatin: Stoli grash dhe burrash prej ari dhe argjendi; armë; pjesë veshjesh dhe veshje të plota; pëlhura të mkndafshta për pajisjen e banesës dhe veshjeve të ndryshme; qëndisje të realizuara nga gra qytetare si çarçafë, këllëf jastëkësh, këmisha etj.