Është më e bekuar të japësh sesa të marrësh!

Një student, një ditë po bënte një shëtitje me profesorin e tij. Ndërkohë që po ecnin, panë një palë këpucë të vjetra që ishin përtokë. Ato dukeshin se i përkisnin një njeriu të vafër, që punonte në arën aty pranë.

Studenti u kthye nga profesori duke thënë: “Le t’i bëjmë një hile këtij njeriu, t’ia fshehim këpucët dhe ne të fshihemi pas ndonjë shkurrejë për të parë reagimin e tij, si do të veprojë kur të mos i gjejë këpucët aty.”

Por profesori me urtësinë e tij i thotë: “Miku im i dashur! Ne kurrë nuk duhet të argëtohemi në kurriz të të varfërve. Por ti je i pasur dhe mund t’i japësh vetes një kënaqësi më të madhe nëpërmjet këtij njeriu të varfër. Vendos një monedhë në secilën këpucë dhe pastaj ne do të fshihemi për të parë reagimin që do të bëjë ai.”  Studenti ndoqi këshillën e profesorit, vendosi nga një monedhë në çdo këpucë dhe më pas të dy u fshehën pas shkurres.

Burri i varfër, mbaroi punën dhe u kthye në vendin ku kishte lënë këpucët. Ndërkohë që po vishte xhaketën, iu pengua këmba në njërën prej këpucëve ku ndjeu diçka të fortë. Duke parë çfarë ishte, ai sheh monedhën. Habia dhe çudia vërshuan në fytyrën e tij. Sytë iu ngulën te monedha, duke e parë disa herë. Më pas ai vështroi rreth e rrotull, por nuk kishte asnjë njeri dhe e futi monedhën në xhep, ndërkohë vazhdoi të veshë këpucën tjetër, kur papritur u surprizua përsëri kur gjeti monedhën tjetër.

Njeriu i varfër u emocionua aq shumë, saqë ra në gjunjë, ngriti sytë drejt qiellit dhe filloi të falenderojë me zë të lartë. Ai foli për gruan e tij të sëmurë dhe të pafuqishme, fëmijët e tij pa bukë dhe se kjo e mirë nga një dorë e panjohur do e shpëtonte atë nga kjo gjendje e keqe në të cilën ndodhej.

Studenti u prek thellë nga ky reagim dhe lotët i vërshuan në sy. Profesori duke i buzëqeshur i thotë: “A nuk je tani më i kënaqur, sesa nëse do i kishe bërë hilen?” I riu që mezi fliste nga lotët i thotë: “Më keni dhënë një mësim që asnjëherë nuk do ta harroj. Tani po kuptoj të vërtetën e këtyre fjalëve që nuk i kisha kuptuar më parë: “Është më e bekuar të japësh sesa të marrësh!”

Abdullah ib Abasi (r.a) transmeton nga Profeti (s.a.s) të ketë thënë: “T’i buzëqeshësh një vëllai, të urdhërosh për mirë dhe të ndalosh nga e keqja, të orientosh një persontë humbur, t’i tregosh rrugën një të verbëri, të largosh pengesat nga rruga dhe t’i mbushësh enën vëllait tënd, konsiderohet sadaka.”

Pin It