Sadakaja, shërim për zemrën…

Sadakaja (lëmosha) është shkak për shtimin e pasurisë dhe zgjerimin e furnizimit. Allahu i Lartësuar thotë:

Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre,…” [Surja Bekare, 274]

Kurse, Pejgamberi (s.a.s), ka thënë: “Sadakaja nuk e pakëson pasurinë…” [Muslimi].  Sadakaja është shkak për shërimin e sëmundjeve. Sadakaja është shkak për të arritur përkushtimin e vërtetë dhe devotshmërinë. Sadakaja e pastron shpirtin dhe e dëlirëson atë. Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira.” [Surja Teube, 103]

 Ndërsa, në hadithin e të shtatëve thuhet: “Nën Arshin e Allahut, ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç tij do të jetë, …dhe njeriu që jep sadaka fshehurazi, saqë dora e majtë nuk e di ç’jep e djathta.” [Buhariu dhe Muslimi].

Sadakaja është nga morali i Pejgamberit (s.a.s). Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “I Dërguari i Allahut, në Ramazan, kur e takonte Xhibrilin tregonte një bujari që nuk e kishte në muajt e tjerë… Kështu, i Dërguari i Allahut në këtë muaj ka qenë më i dobishëm për njerëzit sesa era pas së cilës vjen shiu.”  [Buhariu dhe Muslimi].  Sadakaja është forcim i lidhjes farefisnore. I Dërguari i Allahut (s.a.s), ka thënë: “Sadakaja për të varfërin  është sadaka, ndërsa për të afërmin është sadaka dhe forcim i lidhjeve familjare.” [Ahmed ibn Hanbeli dhe Tirmidhiu].

Sadakaja është shërim për ngurtësinë e zemrës. Një person i qe ankuar Pejgamberit (s.a.s) për ngurtësinë e zemrës, ai i tha: “Fërkoje kokën e jetimit dhe jepi ushqim të varfërve.”  [Ahmed ibn Hanbeli]. Sadakaja i fal mëkatet dhe i fshin gjynahet. I Dërguari i Allahut (s.a.s) thotë: “Sadakaja i fshin mëkatet ashtu siç e fik uji zjarrin.” [Tirmidhiu] 

Sadakaja është shkak që Allahu të të dojë. I Dërguari i Allahut (s.a.s) ka thënë: “Nga veprat që Allahu i do më së shumti janë futja e gëzimit në zemrën e muslimanit, largimi i mërzisë nga ai, largimi i urisë dhe larja e borxhit të tij.” [Sahih Et Tergib ue Et Terhib]. Për dhënësin e sadakasë çdo ditë luten melekët. I Dërguari i Allahut (s.a.s) ka thënë: “Çdo ditë kur robërit e Zotit zgjohen nga gjumi, atyre u zbresin dy melekë. Njëri prej tyre thotë: “O Allah! Jepi dhe shtoja pasurinë atij që është bujar!  [Buhariu dhe Muslimi].

Sadakaja është shkak për hyrjen në xhenet. I Dërguari i Allahut (s.a.s) ka thënë: O ju njerëz, përhapeni selamin, ushqeni të tjerët, mbani lidhjet familjare dhe faluni natën kur njerëzit flenë do të hyni në xhenet, të përshëndetur me selam.” [Tirmidhiu]

Pin It