Farmacitë, jo më pak se 20 metra larg nga institucionet shëndetësore publike

Farmaci

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka rrëzuar padinë e ngritur nga Urdhri i Farmacistit ndaj Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Vendimi përfundimtar i trupës gjykuese është shpallur dje, pas përfundimit të procesit gjyqësor që nisi më 8 prill 2016, kur Urdhri i Farmacistit të Shqipërisë kërkoi rishikimin e vendimit të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së “Për kriteret që duhet të plotësojnë farmacitë dhe agjencitë farmaceutike për lidhjen e kontratës me Fondin dhe procedurat për lidhjen e kontratës për vitin 2016” dhe shfuqizimin e disa pikave në përmbajtjen e tij.

“Në padinë e tij, UFSH-ja kundërshtonte kriteret e parashikuara në pikat 10, 13, 14, 15, 19 dhe 20 të kreut I, të këtij Vendimi, të cilat kishin të bënin, mes të tjerash, me distancën jo më pak se 20 metra që farmacitë duhet të kenë nga kufiri i jashtëm i institucionit shëndetësor publik; sipërfaqen e shfrytëzueshme prej 50 m2 që duhet të kenë farmacitë që lidhin kontratë për herë të parë me Fondin (ndërsa agjencia 15 m2); si dhe, kriterin që parashikonte zgjidhjen e kontratës së Fondit me farmacitë dhe agjencitë farmaceutike, të cilat janë në hetim nga organi i akuzës deri në përfundimin e plotë të hetimeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të gjitha pretendimet e ngritura nga UFSH-ja në padinë ndaj Fondit u gjetën të pabazuara në ligj nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila në këto kushte, pas një hetimi të plotë vendosi të rrëzojë kërkesë-padinë e ngritur.

 

Pin It