https://soundcloud.com/spektrum-group/melodi-e-zemres-festa-e-kurban-bajramit
Në ditën e tretë të Kurban Bajramit emisioni “Melodi e Zemrës” iu kushtua atmosferës së kësaj feste në zemrat dhe familjet e besimtarëve. Të ftuar në studio ishin imami i Xhamisë së Selitës, z. Adnan Merja dhe menaxheri z. Ermal Gjyzeli.
Biseda u përqëndrua rreth afrimitetit që ditët e bajramit na përftojnë drejt përjetësisë dhe ndjesitë shpirtërore që zgjohen gjatë kësaj kohe.
Të ftuarit folën fillimisht për simbolikën e festës së Kurban Bajramit për të cilën imami Merja tha se kjo festë përcjell shpirtin e sakrificës. Kurban Bajramit i paraprijnë edhe ditët e Dhulhixhes që e përgatisin njeriun shpirtërisht për ta ndjerë më shumë Kurban Bajramin. Ai tha se tradita e kurbanit vjen që nga bijtë e Ademit a.s, vijon me profetin e nderuar Ibrahim dhe simbolizon bindjen e sinqertë të robit ndaj Zotit të tij. Sepse tek Allahu xh.xh nuk arrin as mishi, as gjaku i kurbanit, por devotshmëria e besimtarit”. Kjo festë është kremtim i të qenurit besimtar të një Zoti, më të devotshëm e më të durueshëm.
Ndër urtësitë e Kurban Bajramit të ftuarit veçuan edukimin e egos, nxitjen e altruizmit dhe ndihmës, afrimin me të afërmit, shuarjen e mërive etj. Përmes ndihmës fitojmë zemrat, shpjegojmë islamin, e afrojmë tjetrin me besimin. Nuk duhet harruar se më i miri mes njerëzve është ai që është më i dobishëm për të tjerët.
Kurban Bajrami është provim për zemrën e njeriut, pasi mat dashurinë për Zotin dhe atë për qëniet njerëzore. Gjithashtu kjo festë vë në prove zemërgjerësinë e njeriut, aftësinë për të ndarë me të tjerët atë që Zoti i ka dhëne.
Në këtë kontekst z.Gjyzeli theksoi rëndësinë e vendosmërisë së njeriut për të vepruar, përcaktimin e qëllimit të mirë duke ia lënë përfundimin Zotit, pasi asnjë e mirë që bëhet nuk humbet.
Teologu Adnan Merja shtoi se sipas ajetit “Namazi im, jeta ime, kurbani im janë për Zotin,” kryerja e punëve me sinqeritet bëhet shkak për fitimin e kënaqësisë së Zotit.
Bajrami është pretekst dashurie, dhembshurie, hyrje në klimën e ndjenjave të larta. kjo është koha e ndërmjetësimit për të pajtuar të zemëruarit, për të vizituar të sëmurët, për të gëzuar të vegjëlit. Ai na fal një emocion dhe zell të ri në punët fetare dhe të kësaj bote, duke na ndihmuar të kërkojmë klimën shpirtërore shembullore.
Vazhdimësoa e dispozitës shpirtërore tëe bajramit në ditët e tjera mund të arrihet pak nga pak, duke shtuar punët e mira. Cikli i gjatë adhurimor nga ditët e dhulhixhes tek ditët e teshrikut ndihmon njeriun të përftojë dashurinë, dhembshurinë dhe të largojë arrogancën. Nëse kjo pasohet me vëmendje ndaj namazit, lexim kurani, lutjet etj, mbajtja e një klime të lartë shpirtërore bëhet e mundur.
Në fund të emisioni imami Merja ndau me dëgjuesit një tregim rreth rëndësisë së leximit bukur të kur’anit. Ai tregoi historinë e nxënësit që arrinte të lexonte gjithe kur’anin brenda natës, por vetëm gjysmën kur lexonte sikur kishte profesorin përpara; vetëm suren el – Fatiha, kur lexonte sikur ishte në prani të Xhebrailit as dhe vetëm disa ajete të kësaj sureje, deri tek “vetëm ty të adhurojmë” kur lexonte sikur ishte në praninë e Allahut të Lartësuar xh.xh.
Emisioni përfundoi me duanë që kjo melodi shpirtërore e tekbireve dhe kurban bajramit të na shoqërojë përgjatë gjtihë vitit.